Objekti i ndërtuar brenda bazës ushtarake të Shëngjinit

Ndërtesa disa katëshe po ndërtohej brenda bazës ushtarake të Shëngjinit, gjykata sekuestroi objektin, shoqëria e investimit ankimon vendimin: Kemi dokumentacion të rregullt

20 Mars 2022, 12:00| Përditesimi: 20 Mars 2022, 13:51

  • Share

Ndërtimi i një objekti brenda bazës ushtarake të Shëngjinit është një shembull abuzimi që është bërë me tjetërsimin e pronës ndër vite. Prokuroria e Lezhës ka nisur hetimet për të gjitha praktikat e ndjekura nga institucionet për privatizimin e pronës dhe dhënien e lejes së ndërtimit, brenda bazës detare ushtarake të Shëngjinit, ndërkohë që gjatë muajit shkurt gjykata vendosi sekuestro preventive të objektit që aktualisht është ndërtuar deri në 3 kate. Vënia nën sekuestro preventive e objektit është kundërshtuar nga shoqëria që po kryen këtë investim. Përmes mbrojtësit ligjor të saj, avokatit Erjon Gjoni, kompania e ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë në Lezhë që vendosi masën e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” mbi pasuritë e paluajtshme që sipas VKM Nr.515/2003 janë në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe konkretisht të palës kallëzuese Reparti Ushtarak Nr.2001, pjesë e strukturës organizative të Forcave të Armatosura.

Shoqëria pretendon se ka të gjithë dokumentacionin e rregullt , pronën me certifikatë pronësie dhe leje ndërtimi të dhënë nga Bashkia Lezhë, ku në dokumentin e ankimimit thuhet se "Gjykata ka gabuar në vendimmarrjen e saj pasi pa bërë një analizë të detajuar dhe të gjithanshme të kërkesës së prokurorisë, legjislacionit dhe provave të administruara në rastin konkret, ekzistencës së dyshimit të arsyeshëm se është kryer një vepër penale që ka lidhje me këtë pasuri, ka pranuar në mënyrë automatike kërkesën e organit të akuzës për vendosjen e sekuestros preventive pasuritë e paluajtshme. Në këto kushte i kërkohet Gjykatës së Apelit në Shkodër që të heqë sekuestron preventive të vendosur pasurisë të llojit pyll me sipërfaqe 1000 m2, në proces ndërtimi të kompleksit godinë 3 kat, pronë e cila është me certifikatë pronësie dhe leje ndërtimi të dhënë nga Bashkia Lezhë."

Pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimet që janë kryer apo që janë në ndërtim e sipër në territorin e Bazës Ushtarake të Shëngjinit janë vënë në sekuestro preventintive me kërkese të Prokurorisë së Lezhës,  pas denoncimit të bërë nga Ministria e Mbrojtjes. Prokuroria prej kohësh kishte nisur procedim penal për veprën penale “Shpërdorim detyre”, me dyshimin se kjo pronë është tjetërsuar në kundërshtim me ligjin, ndërsa në hetim për këtë çështje janë vënë disa zyrtar dhe ish-zyrtar lokal, të cilët dyshohet se kanë vepruar në kundërshtim me ligjin. Prokurori ka bërë të ditur më herët se ka dhe raste të tjera që është tjetërsuar prona shtetërore në këtë zonë dhe përmes dokumenteve të prodhuar nga institucionet është kthyer ne pronë private dhe kjo veprimtari është objekt hetimi.

Objekti disa katësh brenda bazës detare ushtarake të Shëngjinit nisu të ndërtohet 1 vit me parë. Skandali u denoncua nga Ish-zv.komandanti i Forcës Detare Artur Mecollari e më pas u vunë në lëvizje Ministria e Mbrojtës dhe organet e drejtësisë.  

I.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 21/03/2022 00:34

    Ne cilin vend te botes lejohet ndertimi i nje objekti civil,pa lejen e min.te mbrojtjes dhe pa lidhje me bazen, brenda nje baze ushtarake?!Keto idiotesi vetem ne Shqiperi ndodhin dhe me e bukura eshte qe shkelesit kane guxim e fytyre t'a ankimojne.Dhe e bejne kete pa piken e turpit,se gjithe keto 30 vjet abuzimimi,shkelja,korrupsioni dhe mos ndershkimi kane lulezuar me keq se viruset ne Petri Dish dhe kane mundesuar qe maskarenj te tille te guxojne te sfidojne dhe ministrite.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Në përplasjen Veliaj-Berisha kujt i jepni të drejtë?