Mjeku Arjan Pushi

Vdekja e mjekut nga COVID-i, kolegu tregon takimin e fundit, Meta: E dhimbshme! Ruçi: Iku modeli i spikatur!

30 Qershor 2020, 17:37| Përditesimi: 30 Qershor 2020, 17:46

  • Share

Ditën e sotme ndërroi jetë personi i parë nga radhët e bluzave të bardha i prekur me COVID-19. Mjeku i Hematologjisë, Arjan Pushi mbylli sytë përgjithmonë në spitalin infektiv pavarësisht përpjekjeve të personelit mjekësor për ta mbajtur në jetë. 57-vjeçari nuk vuante nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Në lidhje me vdekjen e tij, ka reaguar presidenti i vendit Ilir Meta dhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka shprehur ngushëllimet për mjekun Arjan Pushi, që humbi sot betejën me COVID-19 në moshën 57-vjeçare, ku thotë se mjekësia shqiptare humbi një model të spikatur përkushtimi, shërbimi e vetëmohimi.

Kurse presidenti Ilir Meta tha se është një humbje e dhimbshme dhe tregon që rreziku nuk ka kaluar dhe çdo nënvlerësim do të jetë më pasoja për shëndetin dhe ekonominë. Presidenti Meta i bën thirrje qeverisë që të garantojë me përgjegjësi dhe transparencë masat mbrojtëse për personelin mjekësor.

Gjithashtu ngjarja e dhmbshme ka sjellë edhe reagimin e kolegut të tij, mjeku Edvin Prifti, i cili ka shprehur sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mikut të tij.

Ora 21:37
Ndarja nga jeta e mjekut, Beqaj: Vdekja është njerëzore, gjuetia e vdekjes është çnjerëzore

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka reaguar për vdekjen e mjekut Arjan Pushi dhe të drejtuesit të një ambulancë, të cilët humbën jetën si pasojë e COVID.

Në një status në Facebook, Beqaj thotë se vdekja është njerëzore,  ndërsa thotë se familja e tij ditën e djeshme kaloi orë të vështirë për faktin e publikimit të lajmit për vdekjen e tij, ndërkohë që ai ishte ende gjallë.  Këtë Beqaj e quan çnjerëzore.

Reagimi i Ilir Beqajt

Vdekja është njerëzore, gjuetia e vdekjes është çnjerëzore. Qysh prej fillimit të epidemisë, janë 63 familje që kanë humbur të shtrenjtët e tyre. Në fillim të javës së 17-të të Covid-19 u shënuan 4 fatalitete. Midis tyre edhe dy punonjës së shëndetësisë. Mjeku hematolog, dr. Arian Pushi dhe një drejtues autoambulance i Shërbimit Kombëtar të Urgjencës Mjekësore, Artur Ndreu. Këta janë dëshmorët e parë të rënë në frontin e betejës së luftës. Kur u tha në javët e para të epidemisë se kjo është luftë, pati që u tallën apo u shprehën cinikisht. Të vdesësh është njerëzore. Edhe në krye të detyrës. Jeta e tillë është. Çdo profesion bart edhe rreziqet e veta. Tani që dr. Pushi nuk jeton më, po shprehet mirënjohja për përkushtimin e tij dhe solidariteti me të afërmit e tij. Por të afërmve të tij, më së pari duhet t’u kërkojmë falje. Për ato orë të vështira që kanë kaluar dje pasdite dhe në mbrëmje. Përpos dhimbjes për të shtrenjtin e tyre, iu desh të përballeshin edhe me gjuetinë e shfrenuar të lajmit të vdekjes së tij. Një garë e pakuptimtë se kush do të njoftonte më i pari vdekjen. E gjitha kjo në emër të trasparencës?!  Jo! Kjo gjueti për vdekjen nuk mund të jetë transparencë. Nuk dua të jap opinionin tim se çfarë mendoj se është, sepse nuk dua të përfshij kujtimin dr. Pushit në këto diskutime. Shpresoj dhe uroj që gjueti të tilla të mund të mos ndodhin më. Prandaj, familjarë të dëshmorëve të luftës me Covid-19, na falni! Si një prej të gjallëve të këtij dheu e ndjej se duhet edhe unë t’ju kërkoj falje. Më tej, është shteti që duhet t’u japë këtyre dëshmorëve të njëjtin trajtim e vlerësim që ndodh edhe me ushtarakët e rënë në krye të detyrës. Në luftë mund të jesh me uniformë të gjelbër, blu, por edhe të bardhë.

RIP dr. Arian Pushi!

RIP Artur Ndreu!

Ora 18:23
Vdekja e mjekut nga COVID-i,Tritan Kalo: Nga gjiri i heronjve një mantelbardhë e humbi sfidën!

Mjeku i njohur shqiptar  Tritan Kalo ka reaguar për ndarjen nga jeta të kolegut të tij, doktor Arjan Pushi. Në një postim në rrjetin e tij social, Kalo ka shprehur ngushëllimet për mikun e tij, i cili humbi betejën me koronavirusin.

“Nga gjiri i heronjve të Shëndetësisë një mantelbardhë e humbi sfidën me COVID-19. U prehshi në paqe, prof.Arjan Pushi!“, shkruan Kalo.

Ora 18:16
Humbi betejën me COVID-in, kolegu i kushton dedikimin e ndjerë mjekut: Na fal që të lamë të ikësh!

Mjeku Renato Osmenaj ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të kolegut të tij Arjan Pushi. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai i ka dedikuar një mesazh mjekut Arjan Pushi, që ndërroi jetë prej COVID-it.

“Na fal që të lamë të ikësh! Qofsh i parajsës!“, shkruan mjeku Osmenaj.

Ora 18:10
Ndërron jetë mjeku nga COVID-i, ambasadorja e SHBA-së: Ai dha jetën ndërsa u shërbente të tjerëve, do kujtohet si hero!

Pas vdekjes së mjekut të parë me koronavirus në Shqipëri, Arjan Pushi ka reaguar edhe ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim duke shprehur trishtim të thellë. Ajo shkruan se mjeku dha jetën, ndërsa ishte në shërbim të të tjerëve dhe do të kujtohet si hero.

"Jemi thellësisht të trishtuar nga humbja e parakohshme e Dr. Arjan Pushit. Ai dha jetën, ndërsa ishte në shërbim të të tjerëve dhe do të kujtohet si hero!", shkruan Kim.

Ora 18:08
Vdekja e mjekut të parë nga COVID, Basha: Misionar të bluzave të bardha që i dha ndihmë qindra pacientëve

Me rastin e vdekjes së mjekut të parë të prekur me COVID, ka reaguar edhe kryetari i PD-së Lulzim Basha. Ai shprehet i tronditur duke e konsideruar misionar të bluzave të bardha që përmes përkushtimit dhe angazhimit të palodhur i dha ndihmë te paçmuar qindra pacientëve të tij. Basha shton se ka pasur komunikim të vazhdueshëm me prof. Arjanin mbi krizën e Covid-19 dhe gjendjen e kujdesit spitalor në tërësi.

"Gjatë muajve të fundit kam ruajtur një komunikim të rregullt me prof. Arjanin mbi krizën e covid19 dhe gjendjen e kujdesit spitalor në tërësi. Kam mbresa të pashlyeshme nga përkushtimi profesional dhe atdhetar dhe dhembshuria njerëzore e tij. Asnjë ngushëllim nuk e lehtëson dot dhimbjen e thellë të të afërmve dhe kolegëve të tij. Prof. Dr. Arjan Pushi ka përjetë mirënjohjen e thellë të gjithë shoqërisë për një jetë në shërbim të njerëzve.  Lutjet dhe mendimet e mia janë për familjarët dhe miqtë e tij. Respekti im maksimal është për mjekët që luftuan deri në fund për ta mbajtur në jetë mikun dhe kolegun e tyre dhe që punojnë me të njëjtin përkushtim për çdo pacient. U prehtë në paqe!", shkruan Basha.

Ora 16:56
U nda nga jeta për shkak të COVID-19, mjeku Prifti për kolegun: E takova para 3 javësh, ndoshta nuk e dinte me çfarë po përballeshim

Mjeku Edvin Prifti ka shprehur sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mikut të tij mjek Arjan Pushi, që ndërroi jetë për shkak të koronavirusit. Prifti thotë se me Pushin janë takuar para tre javësh dhe kanë biseduar për COVID-19, ndërkohë që bën thirrje që të gjithë të ruhen dhe të zbatojnë masat anti-koronavirusit, pasi ai nuk është një iluzion.

"Prof. Arian Pushi e përfundoi rrugëtimin e tij në këtë planet. U takuam bashkë tre javë më parë dhe bisedonim për covid-19. Qesharakja përmblidhet me tragjedinë. Arjan ti e dije dhe nuk e dije me çfarë po përballeshim.

Mas mediat të dhanë për të vdekur 24 ore më parë a thua se shprehnin kënaqësinë që një profesor i mjeksisë ishte në grahmat e fundit se zbatonte betimin e Hipokratit. Dhe ndërkohë shikon turmat e pa identifikuara, turma që rrokullisen në rrugët e Tiranës pa asnjë proteksion, apo disa delirantë dhe sharlatanë të mendimit që deklaronin me paturpësinë që covid-19 është thjeshtë një iluzion.

Raca shqiptare duhet të mbijetojë, bëjeni të mbijetojë, por jo me këtë kosto. Mjekët, infermierët, bijtë dhe bijat tuaj janë atje. Nuk ka më vijë të parë, të dytë dhe të shtatë. Janë atje duke luftuar për ju dhe për familjet tuaja.

Sot humbëm një koleg dhe mik. Humbëm një profesor të universitetit tonë. Nesër mbase do të jetë radha jonë, mbase do jetë radha ime, por kjo s'ka asnjë rëndësi! Ju jeni thelbi! Këtu nuk flitet më për individin, por për racën tonë. Mbrojeni, mbështeteni, mos u beni naiv dhe injorant siç jeni sjellë në shekujt e kaluar, luftoni për mbijetesë, kuptojeni, dhe lutuni shumë për veten tuaj, familjet dhe për ne mjekët tuaj që nuk ndaluam një ditë duke trajtuar dhembjet dhe sëmundjet tuaj.

Lamtumirë koleg i nderuar. Lamtumirë, kur u puqëm bashkë tre javë më parë dhe bisedonim për covid-19. Dhe në perjetësinë e mallkimit qofshin kush i thotë të kundërtën këtij populli që nuk ç'bën! Dashuria do të triumfojë mbi gjithçka,"-thotë Prifti. 

Ora 16:40
Ruçi ngushëllime për mjekun që vdiq për shkak të COVID-19: Ishte model i spikatur, kjo humbje alarm për të gjithë

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka shprehur ngushëllimet për mjekun Arjan Pushi, që humbi sot betejën me COVID-19 në moshën 57-vjeçare, duke u bërë i pari nga bluzat e bardha që nuk i mbijeton dot virusit vdekjeprurës. Ruçi thotë se mjekësia shqiptare humbi një model të spikatur përkushtimi, shërbimi e vetëmohimi.

"Me trishtim të thellë mësova ndarjen nga jeta të Profesorit të Universitetit të Mjekësisë, mjekut të shquar Arjan Pushi.  Doktor Arjani, i cili ua kushtoi jetën dhe karierrën e tij qytetarëve dhe pacientëve, humbi betejën për jetën e vet, në luftë me koronavirusin Covid-19.  Ai u shërbeu të sëmurëve deri sa kishte frymë dhe energji, duke mos e marrë në sy rrezikun. I shpreh ngushëllimet familjes, e cila humbi njeriun e vet më të dashur. Mjekësia shqiptare humbi një model të spikatur përkushtimi, shërbimi e vetëmohimi. Kjo humbje duhet të jetë një sinjal alarmi për të gjithë, se koronavirusi nuk ka ikur, rreziku prej tij  është  i madh për të gjithë qytetarët. Të gjithë duhet të mbrojmë jetën tonë, por të bëjmë kujdes edhe për jetët e njerëzve që na rrethojnë. Institucionet duhet të zbatojnë rreptësisht të gjitha protokollet e mbrojtjes, ndërsa qytetarët të ndërgjegjësohen se mbrojtja më e mirë nga Covid-19 është kujdesi individual dhe respektimi rigoroz i rregullave mbrojtëse. Mbrojtja e jetëve është sot një detyrë individuale, njerëzore e kombëtare, e institucioneve, por edhe e qytetarëve,"-shkruan Ruçi.

Ora 15:23
Vdekja e mjekut, Meta: Rreziku nga COVID s’ka kaluar, qeveria të garantojë me transparencë masat mbrojtëse për personelin shëndetësor

Arjan Pushi është i pari mjek në Shqipëri që humb jetën nga koronavirusi. Për Presidentin Ilir Meta kjo është një humbje e dhimbshme dhe tregon që rreziku nuk ka kaluar dhe çdo nënvlerësim do të jetë më pasoja për shëndetin dhe ekonominë. Presidenti Meta i bën thirrje qeverisë që të garantojë me përgjegjësi dhe transparencë masat mbrojtëse për personelin mjekësor.

“Tepër e dhimbshme dhe shokuese humbja e jetës së Profesorit të nderuar të Universitetit të Mjekësisë, Doktor Arjan Pushi, hematologut të shquar me një kontribut të spikatur në dekada në sistemin tonë shëndetësor. Kjo është humbja e parë e jetës nga mantelbardhët tanë, të cilët prej disa muajsh po ndeshen në vijën e parë me këtë pandemi, që tregon se jo vetëm rreziku nuk ka kaluar, por çdo nënvlerësim do të jetë me pasoja tepër serioze për shëndetin, jetën dhe ekonominë. Ndaj apeloj nevojën për të forcuar përqendrimin e të gjithë institucioneve për respektimin me rigorozitet nga të gjithë të protokolleve shëndetësore, si dhe përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë për të garantuar me përgjegjësi dhe transparencë të gjitha masat mbrojtëse për mjekët, infermierët dhe personelin e tyre mbështetës, të cilët rrezikojnë shëndetin e tyre për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve ne. Ngushëllimet më të ndjera familjes Pushi, të afërmve dhe kolegëve të Profesorit, për këtë humbje të madhe të pazëvendësueshme”, shkruan Meta në Facebook.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • lulimiri: 30/06/2020 21:55

    Hipokritet ne piedestal. Ky ka qene 1 profesor hajdut qe merrte leke. Por ne kete vend hajdutesh glorifikohet hajduti dhe nuk me cudisin elozhet.

    Përgjigju
  • Altin Erindi: 30/06/2020 20:35

    Ngushëllime familjes! E kujtojmë profesorin për kulturën dhe qetësinë e tij. U prehtë në paqe. Do Zoti njerëzit të kuptojnë sa I rrezikshëm është ky virus. Shpresoj të fillojnë të zbatojnë rregullat.

    Përgjigju
  • Arturi: 30/06/2020 19:44

    Ngudhellime familjes ,,,mjeket jane heronj,,,te rriten rrogat dhe shperblimet per personelin shendetsor ,,,por qeveria te marre masa,,te shtoje fondet per parandalimin e kovidit ne spitale,te ajrosen dhe lahen dhe te dezifektohen perdite spitalet dhe ambulancat,perdite,,,njerezit te mos lejohen te hyjne ne spital per vizita,,,,,vetem nje person te lejohet i aferm me maska...te ruhet distanca,,njerezit te mbajne distance ndryshe na piu e zeza..

    Përgjigju
  • Hasan Pordha: 30/06/2020 19:31

    Ti ngrihet monumenti ne QSUT dhe ti vendoset emri ne nje nga rruget e Tiranes

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?