Kadrije Kadare

Ndërroi jetë një ditë më parë, përcillet për në banesën e fundit Kadrije Kadare, motra e Ismail Kadaresë

10 Shkurt 2022, 21:02| Përditesimi: 10 Shkurt 2022, 21:29

  • Share

TIRANË- Ka ndërruar jetë gjatë paradites së djeshme, motra e shkrimtarit Ismail Kadare, Kadrije Kadare. Sot çifti Kadare, si dhe miq  të familjes e kanë përcjellur për në banesën e fundit në Sharrë. Në moshë të thyer, ajo çka e ka rënduar edhe më tepër gjendjen e redaktores ka qenë humbja e të vëllait, Shahinit. Mikesha e saj Nadire Buzo, shkruan se çifti Kadare, është kujdesur për “rebelen” deri në çastet e fundit.

Pikërisht natyra e saj për të folur hapur, edhe në kohë si diktatura, i ka krijuar jo pak tensione familjes Kadare. Kujtojmë se sistemi komunist i kishte hapur edhe dosje, si e dyshuar “Për agjitacion dhe propagandë” apo se u shërbente agjenturave të huaja. Vetë Kadare është detyruar t’i shkruajë letër diktatorit Enver Hoxha, duke e justifikuar se nuk ishte e kthjellët. E vetmja mënyrë kjo për ta shpëtuar nga dënimet e rënda. Kakuja, siç i thërrisnin miqtë ka qenë një natyrë e tërhequr nga jeta publike.

“Do na mungojë Kakuja, mua dhe gjithë atyre që e njohën dhe punuan me të. Po më fort, vëllait Gjeni dhe Helenës me të cilët kaloi së shumti jetën. Ata u kujdesën fort për rebelen e tyre te dashur. E cila si motra e madhe nuk e përballoi dot humbjen e vëllait të vogël doktor Shahinit. Që kujdesej për të në mungësë të Z. Kadare. Edhe sot u përcoll si një Princeshë, prej të dashurve të saj të zemrës dhe miqve të mirë që nuk i përmbanin dot lotët. Perëndia qoftë me ne, kur prap takohemi!”, shkruan mika e saj.

Për ndarjen nga jeta në moshën 85-vjeçare ka reaguar edhe studiuesi Sadik Bejko.

"Sot në moshën 85 vjeç është ndarë nga jeta Kadrie Kadare. Ajo ishte një grua me arsimim të lartë, me kontribute si mësimdhënëse, lektore në Universitet. Ajo ka një kontribut të pavërejtur si korrektore e veprës së Ismail Kadaresë. Ka punuar dhe në disa nga gazetat me të rëndësishme në këto vite të tranzicionit. Korrektore në gazetat Albania, Shekulli, 55. Panorama, Rilindja Demokratike, Mapo. Etj. Sot, Ismail Kadare në intimitet, në heshtje solemne, në rreth të ngushtë familjar, ka përcjellë në varrezat e Sharrës motrën e tij të vetme. Para një muaji u nda nga jeta vëllai i tij, dr Shahin Kadare. Të qoftë dheu i lehtë, Kadrie Kadare. Paqe, prehje e përjetshme për ty", shkruan ai. 

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?