VIDEO/ Politikani serb nderoi Adem Jasharin, e bija: Është rrahur nga shërbimet sekrete të Serbisë! E kanë helmuar, s'mund të lëvizë

5 Janar, 07:45| Përditesimi: 5 Janar, 13:02

  • Share

Politikani serb Nikolla Sanduloviç është dhunuar brutalisht nga shërbimet sekrete serbe, për shkak se kërkoi falje për krimet serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe nderoi komandantin e UÇK-së Adem Jashari.Lajmi është bërë me dije nga e bija e Sanduloviç, Klara, e cila për median kroate “Slobodna Dalmacija” ka rrëfyer detaje për gjendjen e rënduar të të atit. Sipas Klara Sanduloviç, politikani serb ka mbetur i plagosur rëndë nga dhuna që është ushtruar ndaj tij nga BIA serbe.

Mediumi kroat nis shkrimin së pari duke treguar për agjentët e Shërbimeve Sekrete Serbe të cilët hynë në shtëpinë e presidentit të Partisë Republikane, Nikola Sanduloviç dhe e morën “për ta marrë në pyetje”.

Sipas informacioneve të fundit nga familja dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt, Nikola Sanduloviç është “kthyer në shtëpi në gjendje të rëndë” të enjten pasdite. Ai dyshohet se është i paralizuar, ka shenja dhe lëndime të shumta, ka rrëfyer Klara Sanduloviç.

“Dje gruaja e tij e gjeti derën e shtëpisë të hapur, dhe babai im nuk ishte askund… Ajo shkoi menjëherë në polici për ta denoncuar zhdukjen, dhe ata thjesht i thanë ‘mos u shqetësoni zonjë, ai është i sigurt”, rrëfen e bija e Sanduloviç, transmeton Express.

“Kjo ishte shenja e parë se diçka nuk ishte në rregull, se diçka kishte shkuar keq.... Mëngjesin e 4 janarit ajo po priste në spitalin në Beogradit, që nga ora nëntë, sepse zbuloi se ai ishte në spital, por askush nuk i ka dhënë asnjë informacion, vetëm se ishte ‘nën mbrojtjen e shërbimit ushtarak’ dhe atë informacion mund t’ia japë vetëm ‘mjeku i besuar’… gjoja është i palëvizshëm, gjithçka duket sikur është helmuar.”, pohon Klara Sanduloviç.

Lajmi u konfirmua dje edhe nga avokati i politikanit serb Çedomir Stojkoviç.

'Sapo më informoi gruaja e Nikolla Sanduloviçit, e cila tha se në periudhën prej orës 16:00 deri në orën 20:00, ai u dërgua kundër dëshirës së tij nga shërbimet e sigurimit, pjesëtarët e të cilëve e rrahën gjatë asaj periudhe dhe ushtruan dhunë brutale, si pasojë nga dhoma e tyre, e dërgua në spitalin ushtarak VMA, ku u mbajt deri në pasditen e sotme pa dhënë ndonjë njoftim për familjen ose avokatët e tij. Një ambulancë e solli në shtëpi pak kohë më parë.'- tha ai.

Kjo nuk është hera e parë që Nikola Sandulović është në prag të vdekjes. Ai ishte helmuar një herë, dy vjet më parë.

Një herë i është hedhur një bombë në oborrin e shtëpisë në Senjak, ndërsa një herë tjetër, në fillim të vitit 2010, nën xhip i është vendosur një mjet shpërthyes. Nga shpërthimi, Sanduloviqç u plagos rëndë, ndërsa tre shoqëruesit e tij u plagosën lehtë. Katër persona u akuzuan për tentativë vrasjeje dhe krime të tjera të rrezikimit të sigurisë së qytetarëve, ndërsa në gjykimin, i cili përfundoi me aktgjykim fajtor dhe disa vite burg, pati edhe një përleshje mes Sanduloviçit dhe njërit prej të akuzuarve i cili erdhi në dëgjime nga liria. Megjithatë, ai vendim u anulua në gjykatën më të lartë të apelit në Beograd, kështu që pritet një vendim i ri gjyqësor, vijon raportimin mediumi kroat.

Ora 13:02
Konjufca: Sanduloviç u dhunua pasi njohu sovranitetin e Kosovës dhe kërkoi falje për krimet e Serbisë

1704456126_jihd.jpg

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, reagoi sot pasi në Serbi u rrah politikani opozitar serb, Nikola Sanduloviç, i cili vitin e kaluar ishte për vizitë në Kosovë. Sanduloviç u dhunua ditë më parë në Serbi pas kishte publikuar një video duke bërë homazhe tek varri i Adem Jasharit në Prekaz. Sot në një postim në rrjete sociale, Konjufca ka dënuar ashpër aktin e shëmtuar të dhunës brutale në Serbi ndaj politikanit. 

“Nga raportimet e mediave dhe deklarimet e familjarëve dhe avokatit mësuam se z. Sanduloviq, i marrë nga policia e shërbimit sekret serb, është mbajtur dhe rrahur nga persona zyrtarë të këtij institucioni shtetëror, e më pas i është bastisur apartamenti. Në një situatë të frikësimit dhe territ mediatik në Serbi, aludimi shqetësues se në torturim ka marrë pjesë edhe terroristi Milan Radojçiq, i kërkuar nga Republika e Kosovës dhe ndërkombëtarisht për sulmin terrorist në Banjskë, akoma nuk është sqaruar”, shkroi Konjufca. 

Ai thotë se përpjekja për të trembur dhe zmbrapsur politikanë si Sanduloviç, i cili sulmohet pikërisht se njeh sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe kërkon falje për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve, vjen si sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndaj kulturës politike evropiane në Serbi.

“Duke i dëshiruar shërim sa më të shpejtë z. Sanduloviq, e duke uruar që ai të dalë edhe më i vendosur nga ky sulm i rëndë, i bëj thirrje edhe komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë këtë akt dhe të ndërmarrë veprime frenuese të brutalitetit të shtetit serb, që është i orientuar sa drejt Republikës së Kosovës, aq edhe drejt figurave publike që i shërbejnë përparimit të marrëdhënieve tona. Demokracia matet me elementet brendashtetërore, por edhe me krahasimet me vendet ku ajo tashmë është etabluar rrënjësisht. E në këtë kuptim, reagimi i vendeve demokratike kundrejt këtij akti të rëndë është tepër përcaktues”, shkroi Konjufca.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?