Presidenti i Republikës Ilir Meta shkruan se është një lajm trishtues ai i ndarjes nga jeta të Maksim Cikulit, ish-ministër i Shëndetësisë, i cili u nda nga jeta në moshën 68-vjeçare. Sipas Metës pavarësisht ikjes nga kjo botë ai do të mbahet mend si zë i moderuar, i angazhuar për mbrojtjen e parimeve të lirisë dhe të drejtave të njeriut.
"Trishtues lajmi i ndarjes nga jeta të Prof. Dr. Maksim Cikulit, personalitet i shquar i mjekësisë shqiptare, por edhe politikan e përfaqësues i nderuar i elitës qytetare dhe intelektuale të vendit.
Në dekada pune e përkushtimi dhe humanizmi të madh, Prof. Dr. Maksim Cikuli dha një kontribut të shquar si mjek, por veçanërisht si themelues i shërbimit të vetëm kombëtar të gjenetikës në Shqipëri.
Në politikë, si ish-ministër i Shëndetësisë dhe deputet në dy legjislatura, ai do të mbahet mend si një zë i moderuar, i angazhuar për mbrojtjen e parimeve të lirisë dhe të drejtave të njeriut qysh në vitet e para të pluralizmit politik, si dhe për reformimin e sistemit shëndetësor në vend.
Duke u përulur me nderim e mirënjohje të thellë para kujtimit dhe veprës së tij, u shpreh ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve e bashkëpunëtorëve,"-shkruan Meta në 'facebook'.
Lajmi kryesor:
Ndahet nga jeta ish-ministri i Shëndetësisë Cikuli, Meta, Basha dhe Ruçi shprehin ngushëllimet: Iku një personalitet i mjekësisë shqiptare
Ne.k./ReportTv.al