Naum Prifti

Lamtumirë Naum Priftit, kolosit të kulturës shqiptare! Shkroi drama e skenarë të filmave në diktaturë, ja ç'thoshte për ndalimin e veprave të asaj kohe

17 Qershor 2023, 11:35| Përditesimi: 17 Qershor 2023, 18:08

  • Share

Personalitet i kulturës shqiptare në të dy kohët, që sprovoi krijimtarinë e tij në disa gjini të letërsisë, shkrimtari Naum Prifti është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I larguar nga Shqipëria prej vitit ‘92, Prifti, kontribuoi si ish-sekretar i  shoqatës “Vatra” për 15 vjet, pas të vëllait Peterit. Ndonëse krijimtaria e tij si dramaturg u shënjua nga masa 10-vjeçare për riedukim pas dramës “Rrethimi i bardhë”, në ’64-ën, ai arriti të pasuronte repertorin e tij me një sërë veprash të suksesshme, deri edhe libretin e baletit “Bijtë e shqipes”.

Motivet e tregimeve të Priftit ishin ndjellëse për mjeshtrit e kinematografisë, ai ka punuar për disa skenarë si “Era e ngrohtë e thellësive”, “Kush vdes në këmbë” apo “Fejesa e Blertës”. Me përrallat për fëmijë si “Pika e ujit” frymëzoi edhe për filmat e parë vizatimorë.  Me një kontribut të vyer edhe në fushën e përkthimit, Prifti ka vijuar të shkruajë deri në vitet e fundit të jetës, pa e ndarë Shqipërinë nga subjektet e tij.

Prifti në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ka folur edhe për debatin e ndalimit të veprave artistike propagandistike të sistemit komunist, ai është shprehur se gjatë atyre 46 viteve është bërë një punë e konsiderueshme për të zhvilluar artin në vend në të gjitha gjinitë.

Të ndjekim shembullin e vendeve si Italia dhe Gjermania, që kaluan diktaturën fashiste dhe naziste. Pra mund të hiqen disa, por jo të gjitha. Sa për artistët e rinj, konfirmimi vjen me punë jo duke mohuar vlerat e paraardhësve” është shprehur shkrimtari.

Kush ishte Naum Prifti?

Naum Prifti i lindur në Rehovë, Kolonjë, më 7 mars 1932, ku ka kryer shkollën fillore. Më pas, në Ersekë, atë 8-të vjeçare. Në 1953, mbaron Politeknikumin Mjekësor në Tiranë. Punon një vit si ndihmës mjek në Sanatoriumin e Korçës. I pasionuar pas letërsisë, vazhdon studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Gjatë viteve 1954-1960 ka shërbyer si redaktor në revistën Hosteni. Ndërsa nga 1960-67 si redaktor në revistën “Ylli”. Më pas ka punuar si arsimtar nga 1967-70 në Divjakë të Lushnjes.

Në 1970-72 ka pasur përgjegjësinë si redaktor përgjegjës për buletinin “Skena e fëmijëve”, pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Tiranë dhe si inspektor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës gjatë 1974-76. Në këto vite ka shërbyer edhe si pedagog i jashtëm për Letërsinë Shqipe në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1991, emigron në Amerikë (Neë York), ku vazhdon të japë ndihmesën e tij për komunitetin shqiptar këtu dhe për Letërsinë Shqipe. Në vitin 1995, zgjidhet sekretar i Federatës Panshqiptare Vatra, detyrë që e ka edhe sot. Me krijimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë e zgjedhin kryetar të saj. Ka fituar shumë çmime për veprat letrare si vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor dhe skenarë filmash.

Në vitin 2001 nderohet nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve me çmimin: “Penda e Argjendë”, për vëllimin me legjenda “Nëna e Diellit”. Çmimin “Penda e Artë” për vëllimin me tregime dhe skica humoristike “As Miço, As Muço” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptare-Amerikane, Neë York, 2003. Për punën e tij të gjatë, të vazhdueshme letrare dhe me nivel artistik, është Dekoruar nga Kuvendi Popullor me Medaljen e Punës dhe "Urdhrin Naim Frashëri klasi ll-të".

Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini : tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj. Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie. Mijëra e mijëra faqe të shkruara me dorë, të shtypura me makinë të thjeshtë shkrimi, dhe të hedhura në kompjuterin e ditëve tona, qindra e qindra analiza, diskutime, letërkëmbime, biseda, që mund t’i quash pa frikë-publicistikë, për nga idea dhe mesazhi që mbartin dhe përcjellin.

Tregimi : “Dimri i Urisë” ka fituar çmim Nderi (Honour Prize), në Konkursin Letrar Ndërkombëtar të Maison Naaman pour la Culture, 2004-2005. Autori pranohet anëtar Nderi i Shoqatës Kulturore Naji Naaman.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 18/06/2023 04:20

    Vetem nje Naum Prifti ka ne bote,nuk vine me figura te tilla.

    Përgjigju
  • Miço Mone: 17/06/2023 13:22

    Nderim profesorit tim!

    Përgjigju
  • fshati: 17/06/2023 11:57

    Ngushellim, por mos te harrojme se kemi ndertuar nje sistem te tille ne shqiperi qe e detyroi shkrimtarin e madh te largohet. Ose me gjuhen e thjeshte e kemi debuar nga shqiperia dhe tani po na vjen keq.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?