Nazmi Hoxha në Kryeministri me 123 vepra, flet për ritakimin me Ramën: Mik i vjetër! Edhe Dante ishte politikan, por vdiq si poet!

15 Prill, 15:11| Përditesimi: 15 Prill, 15:22

  • Share

Imazhet e para në ballinë të Kryeministrisë, të ftojnë drejt “Ëndrrave brenda ëndrrës” së piktorit Nazmi Hoxha. Janë peizazhe, nudo, portrete në vaj që artisti i realizon gjatë 15 viteve në Amerikë ku jeton, ndonëse siç thotë shumë ngacmime janë të kahershme, njësoj si miqësia me kryeministrin Edi Rama.

“Ideja ka qenë për një bashkëpunim me kryeministrin, është mik i vjetër, koleg, piktor. Kështu, ai e ndezi shkëndinë, se unë pikturat i kisha në papafingo. Përzgjedhjen e bëri Eridana Çano, kuratorja e ekspozitës. Një vuajtje e madhe për të përzgjedhur nga mbi 500 piktura që unë ruaja në papafingo”, thotë artisti Nazmi Hoxha.

Bashkë me të ndjerin Agim Rada dhe kryeministrin siç rrëfen, tri artistët ‘rebelë’ e ruanin frymën e Perëndimit e të modernizmit brenda vetes, dhe kur ishte e ndaluar. Kështu, këtë ekspozitë, e shikon edhe si zgjatim të atij vizioni artistik.

“Ajo periudhë është kjo që po bëj sot, por në një avantazh tjetër. Është shtuar diçka. Është ajo që prishja e territoreve të ngushta dhe zgjerimi dhe kthimi i idesë së globit tokësor, pa kufij. Kjo fjala ‘pa kufij’ ka dy kuptime, se dhe liria pa kufij të çon në krim, siç thotë dhe Kamy. Nuk jam i asaj rruge, por në idenë e barazimit të shpirtrave të komunikimit pa fjalë”, thotë Hoxha më tej.

Hoxha tregon më shumë për këtë ritakim që e gjen mikun e tij, prej një dekade kryeministër (ndonëse kanë ruajtur kontaktet dhe gjatë Ramës si kryebashkiak apo ministër kulture)

“Ai pikturon, njerëzit nuk e kanë idenë..., disa prej tyre mendojnë si ta rrëzojnë nga pushteti por pikturat i ka interesante. Ai vazhdon. Kështu që kur të kalojë një farë kohe... Për shembull Dante ka qenë politikan dhe vdiq si poet. E internuan si politikan, bëri triologjinë (Ferri, Prugatori, Parajsa), por vdiq si poet. Nuk i dihet si vjen jeta, cila është vlera dhe cila nuk është vlerë”, shton ai.

123 veprat e Hoxhës shpalosen në të gjithë hapësirën ekspozuese të Qendrës për Hapje e dialog, dhe ndahet në disa cikle si “Eden”, “Tako Artistin”, “Central Park” apo “Blinds”. Janë pjesë e një koleksioni prej qindra veprash që ai ruan në papafingon e shtëpisë, që shndërrohet njëherazi në studion e muzeumin personal të artistit. Përzgjedhjen e tyre e bën kuratorja Eridiana Çano.

“Tematika është universale. Ti mund të jetosh në një rajon të mbyllur me fanatizma, injorancë etj. etj, sepse floriri është gjithkund por duhet ta gjesh, duhet të dish ta gërmosh”, shprehet Hoxha.

“Mjegullnaja” në veprat e Hoxhës zbehet në zbulimin nga afër të veprës, duke shpalosur para vizitorit, një botë të pasur emocionale, të shkuarën e të tashmen, si një rrugëtim i vetëm.  Artisti në këtë ekspozitë përballet edhe me evoluimin e pikturës së tij përgjatë 15 viteve.

Gjatë diktaturës artisti punoi si mësues vizatimi në vendlindjen e tij, Tropojën. Pas vitit 1990 kalon në krijimtari të lirë, e më pas në disa pozicione pune përfshirë drejtimin e “Filmit Artistik e Dokumentar”. Është fitues i disa çmimeve të rëndësishme  në artin pamor dhe ka çelur disa ekspozita në të dy kohët, disa prej tyre në Galerinë Kombëtare të Artit dhe Muzeun Historik. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 10 maj.

“Është një ide për ta shëtitur në katër qytetet e mëdha, Korçë, Vlorë, Gjirokastër. Do kisha dëshirë, sepse edukimi i njerëzve është shumë i rëndësishëm, është pasuri e madhe. Ideja është që t’i çojmë edhe përtej Tiranës, pasi lajmet e kronikës së zezë dominojnë, kështu që arti është i domosdoshëm”, thotë më tej.

A.D//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?