Drejt Punës

Nazif Muçi, gurgdhendësi i sokakëve të Beratit: E mësova duke imituar vëllezërit

14 Gusht 2022, 17:40| Përditesimi: 14 Gusht 2022, 17:51

  • Share

Në çdo pëllëmbë të sokakëve të Beratit është dora e tij që gdhend gurin me çekan dhe e qëndis në rrugica. Nazif Muçi është 60 vjeç dhe punon me të njëjtin pasion si 46 vite më parë.

"Ja ky guri duhet goditur lehtë sepse është më i butë nuk duhet t'ia prishim formën kurse ky tjetri më i fortë e kështu me radhë".

Në Berat pothuajse të gjitha lagjet e vjetra janë me kalldrëm, jo vetëm ato muzeale. Me Nazifin takohemi tek rrugica pranë Xhamisë së Beqarëve.

"Unë kam mësuar nga vëllezërit e mi. Isha 10 vjeç kur mora gurin e parë dhe fillova të imitoja vëllezërit e mi. Dhe që nga ajo ditë nuk jam ndarë këtij profesioni e dua shumë".

Gurgdhendësi i njohur i Beratit na tregon me detaje si ndërtohen kalldrëmet.

"Ky guri është i lumit është i lëmuar ndërsa ky është prej karierave malore  po ky nuk përdoret shumë për kalldrëm sepse me kalimin e kohës lëmohet dhe bëhet i rrëshqitshëm"

Artizanë si Nazifi gjen gjithnjë e më rrallë në qytet... Thotë se të rinjtë duhen stimuluar për të trashëguar këtë profesion të vjetër sa historia 2400 vjeçare e Beratit.

"Eshtë për të ardhur keq që ky profesion po humbet pak nga pak. Ne kemi një qytet të bukur dhe guri i gdhendur është baza e bukurisë së tij. Kalldrëmet e qytetit tonë duhen të mirëmbahen. Prej vitesh ky qytet i ruan këto kalldrëme nga duar e mjeshtërve .Ndaj të rinjtë që ti afrojmë duhen edhe të stimulohen."

Nazifi nuk njeh moshë pensioni, ky profesion i siguron të ardhura dhe e mban në formë.

"Kështu dua të jem gjithë jetën duke gdhendur gurin! E dua këtë profesion dhe të bëjmë të pamundurën ta trashëgojmë në breza. Ky qytet është i bukur duhet të trashëgohet profesion në breza. Qyteti ynë dhe këto rrugica të  jenë po kaq të bukura përherë."

A.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?