Nasho Jorgaqi: “Ju rrëfej 3 shekuj
të prozës së shkurtër shqipe”

10 Dhjetor 2013, 07:02| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Pasioni i tij për hartimin e antologjive është tepër i hershëm. Shkrimtari dhe studiuesi Nasho Jorgaqi (ne foto) rrëfen se ky pasion ka lindur që nga koha kur ishte nxënës. Tregon se për të libri më i dashur ishte Antologjia e Gjuhës dhe Letërsisë. Dhe kështu, me kalimin e viteve, interesimi për zejet më të bukura letrare të letërsisë shqipe u zgjerua. “Dhe më lindi dëshira, duke qenë jo vetëm shkrimtar, por edhe studiues i letërsisë shqipe, të hartoja një vepër të kësaj natyre”, rrëfen shkrimtari Nasho Jorgaqi për “Shqiptarja.com” gjatë intervistës që i morëm për antologjinë më të fundit të tij si studiues, që përmban 43 autorë të përzgjedhur të prozës së shkurtër shqipe të zhvilluar në tre shekuj.

Me antologjitë letrare shkrimtari dhe studiuesi Nasho Jorgaqi është marrë edhe herë të tjera, por së fundmi ai ka përfshirë një distancë të madhe historike të prozës shqipe, duke përzgjedhur për të hartuar një antologji me prozën e shkurtër të shkruar nga vitet 1685 deri në vitet 1944. Siç duket puna, duhet të ketë qenë e vështirë, sepse proza e shkurtër më Mesjetë i ka të zbehta fillimet e saj, por studiuesi Jorgaqi seleksionon me përkushtim e finesë thesaret e trashëgimisë letrare, duke e nisur këtë punë nga 300 vjet më parë me “Çetën e Profetëve” të Bogdanit dhe duke e ndalur hapin tek Migjeni dhe bashkëkohësit e tij deri në vitin 1944, ku fillon pastaj një kthesë e re për prozën e shkurtër shqipe.
 
Profesor Jorgaqi, kjo antologji e prozës së shkurtër është e 11-ta në këtë fushë. Si shpjegohet përkushtimi juaj për t’i dhënë lexuesit vepra kaq të rëndësishme, por edhe që kërkojnë mundim për t’u bërë?
-Mbaj mend që antologjia e parë që kam hartuar e botuar ka qenë “Antologjia për Skënderbeun”, botuar në vitin 1968, me rastin e 500-vjetorit të lindjes së heroit tonë kombëtar. Kjo vepër u prit goxha me interes (edhe pse për këtë vepër unë isha i pakënaqur vet). Kjo më nxiti pas ca kohe, t’i hyja një pune akoma më të vështirë. Është antologjia më e vështirë që kam hartuar deri më sot.

Të bëja një antologji për mendimin estetik shqiptar, nga fillimet deri tek viti 1944, domethënë nga 1504-a deri në vitin 1944. Kjo kërkonte përgatitje. Kërkonte njohje. Mua m’u desh të përgatitem, dhe kërkonte hulumtime, sepse ky mendim ishte i shpërndarë jo vetëm nëpër shekuj, por ishte shpërndarë edhe nëpër autorë të ndryshëm, nëpër vepra të ndryshme, një pjesë e të cilëve nuk ishte në qarkullim, kishte probleme. Megjithatë unë arrita ta hartojë këtë të pajisur edhe me një studim hyrës. Ishte një provë që jepja unë këtë fushë, por edhe të pajisur për çdo autor me shënime biografike. Pati një pritje si nga lexuesit, ashtu edhe nga studiuesit dhe kjo e bëri brenda një kohe si vepër të kërkuar dhe me kalimin e kohës kjo vepër u bë pikë reference, sepse aty gjendeshin të dhënat për problemet estetike letrare në kohë dhe të autorëve të ndryshëm.
 
Si ju lindi ideja për antologjinë e prozës së shkurtër shqipe?
-Kjo antologji në vargun e simotrave të saj, vjen e fundit për nga renditja. Them kështu, sepse përpara kësaj janë dhjetë të tjera, natyrisht me tema të ndryshme dhe për kohë të ndryshme; për letërsinë arbëreshe, për Faik Konicën, për Nolin, për letërsinë bashkëkohore shqipe, dy të tilla të botuara në italisht, për Sejfulla Malëshovën, etj, por e parafundit duhet të ishte hartimi i një antologjie për poezinë lirike shqipe nga 1914-a deri në 1944-n, afër dy-tre dekada. Edhe kjo, ashtu siç e thamë dhe në bisedë qe e një natyre të vështirë. Në qoftë se do ta shikojmë këtu më tutje që Antologjia e Prozës së Shkurtër rroku afër tre shekuj, e kjo rroku tre dekada, vështirësitë ishin pothuajse të njëjta, kërkimi, zgjedhja, interpretimi e kështu me radhë.

Pra, kjo përvojë që unë kisha fituar në antologjitë e tjera, më shërbeu në fillim për antologjinë e poezisë lirike, por kjo më shërbeu akoma më shumë për antologjinë e prozës së shkurtër, për nga shtrirja kohore dhe problematika që nxirrte kjo shtrirje në kohë të vështira e të rënda të jetës dhe të historisë shqiptare. Kjo është e vërtetë, përveçse duhet të them që ka përngjasime dhe ndryshime.

Përngjasime, sepse ka të bëjë me periudha kohore letrare të gjata ose të shkurtra, por ndryshime, sepse lënda është e ndryshme, nga ato të mëparshmet, është fjala këtu për mendimin estetik, apo për poezinë shqipe lirike, që ka natyrë tjetër nga proza, por kryesorja është që puna për hartimin e tyre e pasuroi përvojën time, e si të thuash unë, herë-herë do të shkelja në shtigje të shkelura prej meje. E njihja kohën, e njihja atmosferën e njihja kulturën e asaj periudhe dhe kjo ma lehtësoi punën, por edhe ma vështirësoi, sepse duhet t’i përgjigjemi kërkesave që kishte tema e antologjisë së prozës së shkurtër të traditës.
 
Dakord, por kjo periudhë që keni studiuar ka shumë intervale kohore të zbrazëta. Si i keni kapërcyer këto vështirësi?
-Është e vërtetë që kjo periudhë përfshin afro tre shekuj e ca, domethënë për të ndërtuar antologjinë e prozës së shkurtër, unë do të shkrihesha në më se tre shekuj të historisë së kulturës shqiptare, te ato fijet e prozës që janë më të hershme, që fillojnë nga 1600 e ca (shek. i 17-të). E vërteta është që të hapim këtu një parantezë, të themi që lindja e prozës artistike shqipe, është e vonshme, shumë e vonshme. Letërsia shqipe, si të gjitha letërsitë e botës ka lindur fillimisht si letërsi poetike, ka qenë zëri poetik i pari.

Pra, le të themi që poezia është rinia e letërsisë, kurse proza është mosha e pjekurisë së letërsisë. Kështu që motivet e para të një proze artistike i gjejmë tek Pjetër Bogdani, te ky personalitet i madh i kulturës shqiptare, të shprehura në një vepër fetare, filozofike sociale, letrare, artistike. Të gjitha këto janë në veprën “Çeta e profetëve”, botuar në 1685-n. Ishte si të thuash muzgu i Mesjetës, dhe një kokë e madhe si Pjetër Bogdani kaloi nga proza fetare, didaskalike, “dashur pa dashur” në prozë artistike. Dhe, qoftë Fishta qoftë Ibrahim Rugova, në studimet e tyre kanë vënë në dukje elementët estetikë që ka kjo vepër, dhe kjo më bëri mua që ta nis historinë e prozës së shkurtër nga kjo kohë. Sepse përndryshe, nëse unë nuk do ta kisha marrë parasysh këtë, atëherë do ndodhte që ta merrja nga shekulli i 19-të, ndërsa me studimin e Bogdanit shtyhen kufijtë e prozës shqipe.
 
Si përfaqësohet pjekuria e prozës shqipe në këtë antologji?
-Në hartimin e historisë, dhe në hartimin e kësaj antologjie, po të mos i përmbaheshin kronologjisë të lindjes e të botimit të këtyre veprave, do të kemi një boshllëk të madh. Nga 1865-a do vijmë në kohën e Rilindjes me shkrimet për fëmijë që do të botohen në abetaret e Rilindësve, abetaret e Sami Frashërit, Naim Frashërit, për të ardhur pastaj në 1884-n te vepra e mirëfilltë e prozës së shkurtër tek “Gjahu u Malësorëve” i Konstantin Kristoforidhit. Mund të duket e çuditshme, por proza shqipe, do të linte së pari në faqet e abetareve, sepse krahas me alfabetin që mësonin nxënësit, do të merrnin aty edhe poezi, por do të merrnin edhe proza që nuk ishin të shkruara, ku shkrimtarët patriotë do t’i krijonin për abetaret.

Kështu që pasi lindën këto, proza do të ishte në formë skicash, rrëfenjash shumë të shkurtra, që kishin edhe ato elementë estetikë. Kështu që kjo abetare, këto lloje letërsish, siç ishte proza, do të vazhdonin me abetaret e tjera, nga Mjeda, nga Luigj Gurakuqi, pa harruar që kemi Evëtaren e Naum Veqilhaxhit të 1806-s. Pra, të shkruarit për nevojat e shkollës shqipe ishte në programet e  rilindësve. Mësimi do t’i jepej nxënësve nëpërmjet prozës. Kjo do të vazhdonte deri në vitin 1912, ku unë prej një bilanci të librave që janë botuar me proza, gjej veçse 12 libra. Nga 1912-a e këtej filloi një periudhë tjetër, në qoftë se fillim kishim letërsinë e vjetër me Bogdanin, pastaj letërsinë e Rilindjes, pastaj do të kemi letërsinë e pavarësisë në 1912-n. Kështu ishin kushte të reja sociale, historike, kulturore dhe proza shqipe do të fitonte krahë.

Do të shtoheshin autorët, po në këtë periudhë do të lindte për herë të parë romani i parë shqiptarë, romanet e Ndoc Nikaj, faqon Postolit, Zef Arapit e kështu me radhë. Por nuk ishte vetëm kjo. Proza ndryshe nga poezia kërkon shtyp, duhet të shypej, se poezia edhe mundet të qarkullojë duke u mbajtur mend përmendësh. E kështu tani u krijuan kushte u hapën edhe shtypshkronja. Ishte një pjesë e prozës shqipe, do të botohej edhe jashtë shtetit, një rrethanë tjetër e rëndësishme për lindjen dhe lëvrimin e prozës ishin kushtet politike sociale.

Duhet të ishte një shoqëri një vend i pavarur. Një shet i pavarur kishte probleme, shkrimtarët e furnizonin letërsinë, por në të njëjtën kohë duhej të ushqefshin shkrimtarët. Nga tema patriotike u kalua te tema sociale, nga lufta kundër pushtuesve u kalua tek gjendja e popullit, te problemet shoqërore të mprehta, te varfëria te skamja te pakënaqësia që ishin probleme të ditës dhe këto do të ushqenin letërsisë. Për prozën tregimet do të dilnin pikërisht nga ky realitet dhe do të kemi autorët e tjerë pas rilindjes, do të kemi Milto Sotir Gurrën që ka botuar vëllime me tregime, ka dy vepra: “Goca e Kaçanikut” dhe “Rrëfenja”. Është interesante se kur nisi të shkruhej proza e shkurtër nuk kishin si t’ia vinin emrin.

Njëherë e thoshin rrëfenjëza, rrëfenjë, përrallë, deri në vitet ’20, derisa më në fund lindi fjala e re tregim. Pra, pjekuria e letërsisë e prozës shqipe në këtë antologji përfaqësohet siç është e natyrshme me autorët më të talentuar. Sigurisht kjo periudhe e gjatë historike ka koristët e saj, ka plot tregimtarë, që përbëjnë korin e tregimit shqiptar, por ka dhe solistë të cilët përbëjnë trungun e prozës shqipe. Këtu kam parasysh tre talente të fuqishëm që e ngritën në një shkallë shumë të lartë prozën e shkurtër, që i hapën shtigje të reja ideoartistike prozës sonë, që e pasuruan me vepra të nivelit evropian. Këta janë Ernest Koliqi, i cili botoi vëllimin e parë me novela, sicc e quante ai; “Hija e maleve”, në 1929. Pastaj më vonë botoi “Tregtarë famujsh”, një përmbledhje me novela, siç e quante ai.

Të dyja këto vepra pasqyrojnë jetën e qytetit të Shkodrës dhe të Malësisë, psikologjinë, jetën zakonet, etj, etj, për t’u pasuar pastaj me një vepër të tretë që fut elemente të letërsisë moderne në prozën shqipe; “Shtatë pasqyrat e narcizmit”, dhe kjo e bënë prozën shqipe që të hedh një hap më tej drejt modernizmit të saj. Një autor si të thuash binjak i nivelit të Ernest Koliqit është Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko). Njëri ishte nga veriu, kurse Pasko nga jugu (e botoi veprën e tij të parë në vitin 1938, “Netë shqiptare”, për të vazhduar pastaj me disa vëllime, tregime të cilat ai i quan rrëfenja dhe rrëfime. Dhe ky e ngriti në një nivel më të lartë prozën e shkurtër, qoftë me temat, qoftë me problemet, qoftë me poetikën e tyre, me mjeshtërinë e lartë, dhe që  e pasuroi në një nivel të lakmueshëm prozën e shkurtër shqipe.

Një fenomen krejt i veçantë në prozën shqipe, në vitet ’30, do të jetë proza e Migjenit. Migjeni qe një autor me shpërthime të fuqishme. E thotë Kadareja atë: “Proza e tij qe një vullkan për nga fryma kritike, për nga mospajtimi me realitetin e padrejtë të kohës, për nga shpirti i revoltës, dhe kaq e rëndësishme nga origjinaliteti i talentit të tij. Qe një talent krejt i veçantë dhe nuk ngjante as me Ernest Koliqin, as me Mitrush Kutelin, as me të tjerë, kolegë të tij”. Dhe kjo prozë origjinale e Migjenit do të përbënte dhe kulmin e realizmit kritik në letërsinë shqipe. Pra, jemi përballë faktit që letërsia shqipe në fushën e prozës do të përmbyllet me personalitet që i dhanë vepra me vlerë të madhe letërsisë shqipe (dhe meqenëse qe më i riu), me Migjenin që kishte në bazën e veprës së tij, jo vetëm kritikën ndaj realitetit, por edhe vizionin për të ardhmen.

Kjo e mbyll edhe antologjinë dhe erdhën ata që e ndoqën Migjenin me tone optimiste që bënë lexuesin që të ketë parandjenjën që proza shqipe do të ecte me tej. E presin ditë më të mira prozën shqipe, dhe fakti është që pas luftës dhe në ‘20-n e këtej proza jonë njohu një hap të vrullshëm historik që e bëri atë si të gjitha simotrat e letërsisë ballkanike e më gjerë.
 
Shkrimi u publikua sot (10.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?