Napoli mund Romën, Milani i bën presion Interit! Në Spanjë nuk gabojnë Barça e Atletico

22 Mars 2021, 09:49| Përditesimi: 22 Mars 2021, 10:55

  • Share

Dries Mertens i shënon dy gola Romës dhe kap kuotën e 100 golave në Serinë A. Napoli arriti fitoren e tretë radhazi në kampionatin italian duke surprizuar me fitoren 2-0 ndaj Romës në “Olimpico”. Pikë jetike për skuadrën e Gatusso-s që erdhën falë dygolëshit shumë të bukur të shënuar që në pjesën e parë nga belgu Mertens. Napoli i afrohet e Roma i largohet zonës Champions.

Ndërkaq Milani nuk dorëzohet në garën për titullin kampion. Kuqezinjtë fituan 3-2 me përmbysje ndaj Fiorentinës dhe i bëjnë presion Interit kryesues duke u afruar në 6 pikë megjithëse Interi ka një ndeshje më pak. Ibrahimovic kaloi Milanin në avantazh por vjollcët barazuan me Pulgar e madje kaluan në avantazh në fillimin e pjesës së dytë me Ribery. Por Milani nuk u dorëzua dhe në minutën e 57-të barazoi me Brahim Diaz e më pas shënoi golin e fitores në minutën e 73-të me Calhanoglu. Milani konsolidon vendin e dytë me 4  pikë më shumë se Juventusi që u mund nga Benevento.

Në javën e 28-të në La Liga ekipet kryesuese nuk gabuan. Barcelona u rikthye si në kohët e arta dhe luajti tenis me Real Sociedad duke fituar 6-1 në transfertë. Nga dy gola shënuan Dest e Messi dhe një herë e tundën rrjetën Griezmann e Dembele.

Katalanasit mbetën sërish të dytët pasi Atletico Madrid e fitoi ndeshjen me Alavesh 1-0 falë golit të Luis Suarez. Oblak priti penallti në fund që ishte si pritja e titullit. Atletico kryeson me 4 pikë më shumë se Barça e 6 më shumë se Reali/ Përgatiti: Andi Kapxhiu

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?