Fredi Beleri

Nacionalizmi si epsh parazgjedhor

16 Prill, 11:57| Përditesimi: 16 Prill, 11:59

  • Share

Kur Albert Einstein thoshte: "Nationalism is an infantile disease. It is the measles of mankind”, pra “Nacionalizmi është një sëmundje infantile. Është epidemi e njerëzimit”, me siguri duhet të ketë patur në mendje ca situata si kjo e tanishmja, në këtë vendin tonë të vogël, ndodhur në njërin nga cepat jugorë më të bukur të Europës. Fiks kjo shprehje mu kujtua kur lexova se Beleri, i zgjedhur si Kryetar i bashkisë Himarë në Shqipëri, kandidohet si eurodeputet në Greqi. Pra llogjikisht, lufta e gjithë politikanëve që e mbështesin për Himarën, nuk gjen më kuptim.

Vendet e vogla e në zhvillim, kudo në botë kanë tendencën që para zgjedhjeve të sillen njëlloj. Ndikimi i nacionalizmit në to është fare i ndryshëm nga ai në shtetet më të mëdha. Në vendet e vogla shpeshherë shohim një përqëndrim në simbole të tilla si flamuri apo në thirrjet e tifozëve “ole ole, o sa mirë me qenë shqiptar”, duke luajtur kështu me shenja të identitetit tonë kombëtar. Ky mbitheksim i elementëve identitarë kthehet pashmangshëm në pengesë për të parë përtej kufijve.

Simbolikë kombëtare do të duhet të ishte se si të zhvillojmë e pasurojmë vendin dhe jo xhepat personalë të cdo elite që vjen e ikën në këtë vend të bekuar nga natyra e të keqshfryëzuar nga njeriu, tradicionalisht. Shqipëria, majtas e djathtas, do të duhet të ishte e përqëndruar shumë më tepër në mbrojtjen e të drejtave të shtetasve të saj kudo nëpër botë, sac edhe ketyre që jetojnë ende brenda kufijve tanë të nëpërkëmbur nga historia. Të bërit “gol” apo edhe “autogol”, për hir të disa votave më tepër nuk lartëson askënd në rrjedhën e historisë.

Nga ana tjetër, Greqia, edhe pse afër gjysëm shekulli anëtare e BE, nuk ia doli dot asnjëherë, të dalë nga sindroma e nacionalizmit. Sa herë gjen rast e tregon këtë me fqinjët, siç rasti Beleri, por Jo më pak e tregon me komunitetet që jetojnë brenda kufijve të saj. Raporti i komitetit europian kundër racizmit dhe intolerancës ka apeluar se në Greqi të gjitha komunitetet janë viktima të gjuhës së shpeshtë të urrejtjes duke përfshirë politikanët dhe nëpunësit civilë.

Nacionalizmi gjithashtu, është një mjet i fuqishëm që përdoret nga politikanët për të fituar mbështetje popullore, veçanërisht në momente të vështira ekonomike apo politike, siç ky që aktualisht po kalon Greqia. Ata shpesh përdorin retorikën nacionaliste për të fokusuar vëmendjen e publikut nga çështjet reale dhe për të shmangur përgjegjësinë për politikat e tyre ekonomike dhe sociale. Duke luajtur me ndjenjat e identitetit kombëtar, ata synojnë të krijojnë një lidhje emocionale me votuesit dhe të mbajnë pushtetin duke e kthyer atë në një luftë për "ne" kundër "atyre".

Kjo sjellje e politikanëve ka rritur nivelin e polarizimit në shoqëri dhe ka penguar bashkëpunimin ndërkombëtar në zgjidhjen e sfidave të përbashkëta europiane. Europa nuk është vetëm një bashkim të cilin vetëm mund ta “mjelësh”, të etiketohesh edhe vend I falimentuar për shkak të kësaj mënyre konceptimi, e pastaj të vendosësh edhe “VETO”, për vendet kufitare që nuk plotësojnë epshet e tua nacionaliste.

Politikanët në çdo vend të botës, njohin vetëm një ekonomi, ekonominë e votës. Në ndryshim nga ne, politikanët në vendet e mëdha shpesh e shohin nacionalizmin si një mjet për të zhvilluar fuqinë e vendit të tyre në skenën ndërkombëtare. Ata e përdorin për  të theksuar identitetin kombëtar dhe për të përforcuar ndjenjën e unitetit kombëtar. Ky është slogani i tyre në ekonominë e votës. Me këtë fitojnë ose humbasin zgjedhjet.

Kur nacionalizmi çon në mohimin e diversitetit dhe konflikte të pandershme, ai humbet fuqinë e tij frymëzuese. Kështu që, në vend që të kapemi nga simbolet e pavlera të nacionalizmit, le të përpiqemi të krijojmë një identitet të pasur kulturor dhe të bëhemi pjesë e një bashkësie globale, duke përfituar nga diversiteti ynë dhe duke punuar për një të ardhme më të mirë për të gjithë."

Mbi të gjitha, të punojmë për rininë, të krijojmë qytetarë kritikë të cilët të dijnë si të analizojnë mënyrën se si politikanët përdorin nacionalizmin për qëllime personale, duke sfiduar retorikën e tyre dhe duke kërkuar zgjidhje të qëndrueshme për problemet tona të përbashkëta: ekonominë e çdo individi, jo vetëm atë të votës.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?