Në 2012 u botua më shumë
letërsi shqipe se e huaj

24 Prill 2013, 05:10| Përditesimi:

  • Share
Shkrimtarë, botues, pedagogë e studentë u mblodhën paraditen e sotme në ambientet e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë për të marrë pjesë në aktivitetet e zhvilluara në kuadër të Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit, për të diskutuar mbi librin dhe letërsinë shqipe.

Për të gjashtin vit radhazi ky fakultet zhvilloi një sërë veprimtarish promovuese për libra të rinj si dhe një panair, në të cilin morën pjesë disa shtëpi botuese, të cilat prezantuan botime të fushave të ndryshme.

Aktivitetet u çelën rreth orës 9:30, paraditen e sotme dhe vazhdun gjatë në disa sallë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, ku specialistë të ndryshëm, shkrimtarë, studiues apo botues diskutuan problemet e librit në vend.

Në keto aktivitete u theksua se gjatë vitit 2012 në Shqipëri është botuar më shumë letërsi vendase se sa e huaj dhe kryesisht poezi se sa një vit më parë. Studiues e shkrimtare theksuan edhe një herë mungesën e kritikeve, te cilët do te selektonin këtë prodhimtari letrare.

Ka vite që çdo 23 prill, në pesë kontinentet, festohet Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtës së Autorit. Prej vitit 2001 edhe Shqipëria, i është bashkëngjitur vendeve të botës për festimin e kësaj dite të shënuar të dijes, nën moton që e karakterizon tradicionalisht “një libër, një lule”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?