Muzhaqi: Të rinjtë do të përfaqësojnë Shqipërinë në EU CodeWeek në Bruksel

11 Shtator 2023, 17:45| Përditesimi: 11 Shtator 2023, 17:46

  • Share

Ministrja i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi në bashkëpunim me Ambasadoren e EU CodeWeek për Shqipërinë, Hatixhe Bilibashi nga Albanian ICT Academy dhe Agjencinë Kombëtare të Rinisë, më datë 21 gusht njoftoi që Shqipëria është një ndër 6 vendet e përzgjedhur nga EU CodeWeek për herë të parë për të qenë pjesë e hackathon-it me përmasa gjigande, CodeWeek Hackathon, si pjesë e EU CodeWeek nga Komisioni Evropian.

Hackathon-i CodeWeek Shqipëri u zhvillua në ambientet e Albanian ICT Academy, në partneritet me Ministrin e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Agjencinë Kombëtare të Rinisë, Albania STEM dhe Albania CodeWeek, si një maratonë tre ditore nga data 8-10 shtator dhe bëri bashkë 50 të rinj për të gjetur zgjidhje inovatore teknologjike për sfida aktuale të vendit tone, në fushën e arsimit, transportit, turizmit, mbrojtjes dhe ruajtjes së ambjentit, monitorimin e ajrit, ujit dhe zjarreve.

Në ditën e fundit të CodeWeek Shqipëri, ministrja Muzhaqi iu bashkua të rinjve të apasionuar pas teknologjisë që po zgjidhnin sfidat e fundit, si pjesë e jurisë që përzgjodhi 3 grupet fituese që do të përfaqësojnë Shqipërinë në nivel ndërkombëtar në Hackathon-in që do të zhvillohet në Bruksel në muajin tetor.

Tre grupet fituese që do të përfaqësojnë vendin tonë në Bruksel janë:

Grupi “Unyo” me anëtarët Firdeus Kasaj, Jueda Avdillari, Amalia Bala, Leo Meçaj, Alkid Shuli, Kristi Bushi me sfidën “Sistemi i edukimit për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara”;

Grupi “Journey Buddy” me anëtarët Geart Ferhati, Rubin Shatku, Alkida Sulce, Elja Qosja, Bjorn Koskia me sfidën “Kodo për të zgjidhur probleme dhe jepi jetë ëndrrave të tua”;

Grupi “Navigate Tirana” me anëtarët Blendi Avdolli, Joel Bakalli, Daniel Çraga, Eda Rrushi, Ersa Rrushi, Mateo Bello me sfidën “Transporti publik dhe informacionet online për të”.

Pas shpalljes së tre grupeve fituese, Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët u uroi suksese të rinjve në fazën e dytë. “Suksese të gjithëve në Hackathon-it që do të mbahet në Bruksel! Jemi krenarë që ju do të na përfaqësoni në këtë hackathon kaq të rëndësishëm ku po marrim pjesë për herë të parë.” tha Muzhaqi.

Ky Hackathon organizohet për herë të parë në vendin tonë, krah 5 shteteve të tjera të përzgjedhura nga Komisioni Evropian, të cilat janë Italia, Greqia, Franca, Irlanda dhe Letonia.

Për 50 të rinjtë pjesëmarrës në fazën e parë të CodeWeek Albania, Albanian ICT Academy që është njëkohësisht edhe një ndër akademitë e Programit të Kodimit që ofrohet me mbështetjen financiare nga qeveria, do të sigurojë trajnime falas në fushën e teknologjisë. Çmimi i parë do të përfitojë bursë për trajnim 6 mujor në TIK dhe 3 muaj inkubim dhe akselerim biznesi; çmimi i dytë do të përfitojë bursë për trajnim 4 mujor në TIK dhe 3 muaj inkubim dhe akselerim biznesi; ndërsa çmimi i tretë do të përfitojë bursë për trajnim 4 mujor në TIK dhe praktikë profesionale 3 mujore në kompanitë partnere të AICT.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?