Muzhaqi: Mundësi edukimi, trajnimi dhe punësimi për të rinjtë në Gjirokastër

5 Shkurt, 14:52| Përditesimi: 5 Shkurt, 14:53

  • Share

Në Gjirokastër u zhvillua Panairi i Edukimit, Trajnimit dhe Punësimit, i cili vjen në vijimësi të një seri aktivitetesh të mbështetura nga Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe që kanë në fokus studentët me qëllim mbështetjen dhe fuqizimin e tyre.

Të rinjtë e këtij qyteti që kanë nisur vitin e ri akademik, u prezantuan dhe informuan mbi një variacion mundësish aftësimi, ngritje kapacitetesh, profesionalizimi dhe punësimi. Në këtë panair të rinjtë diskutuan dhe u informuan me ofertën e institucioneve arsimore private dhe publike, institucioneve lokale dhe vendore dhe aktorëve nga bota e biznesit dhe aktivizmit.

Ministrja shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi, Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit Mirela Kumbaro dhe Kryetari i Bashkisë Gjirokastër Flamur Golemi vizituan stendat e panairit dhe diskutuan me pjesëmarrësit mbi ofertën e tyre për arsimim, mundësitë për punësim të të rinjve dhe nxitën shkëmbimin e kontakteve mes biznesit dhe të rinjve, duke u siguruar njëherazi që këto oferta janë në standardin e duhur dhe në përputhje me kërkesat e të rinjve.

Panairi i Gjirokastrës pason 7 Panairet e zhvilluara në Kukës, Sarandë, Vlorë, Shkodër, Korçë, Tiranë dhe Dibër.

Ministret Muzhaqi dhe Kumbaro dhe Kryetari Golemi gjatë qëndrimit në Gjirokastër vizituan ambientet e Shkollës së Mesme të Përgjithshme “Asim Zeneli”. Aty u njohën me ekipet sportive për nxënësit e shkollave të mesme në dy sporte të ndryshme: volejboll dhe basketboll. Gjatë kësaj vizite, të rinjtë demonstruan nivelin dhe gatishmërinë e tyre në sportet e volejbollit dhe basketbollit për fillimin e kampionatit në rang qarku dhe më pas në rang kombëtar.

Rreth 10000 mijë fëmijë dhe të rinj në të gjithë Shqipërinë, pjesë e 760 ekipeve, jo vetëm që janë mbështetur me uniformat e ekipit dhe me pajisjet logjistike për të zhvilluar këto sporte në nivel profesional, përmes këtyre organizimeve ata gjithashtu mësojnë frymën e grupit dhe disiplinën.

Ekipet Sportive në shkolla zbatohet që prej vitit 2022, ndërkohë, këtë vit, për herë të parë po pilotohet projekti edhe për grupmoshën 8-10 vjeç, ku janë angazhuar rreth 1500 nxënës, pjesë e 119 ekipeve.

Aktivitete të kësaj natyre kanë një rëndësi të madhe për fuqizimin e të rinjve në nivel kombëtar dhe lokal në përputhje me masat e Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029, të hartuar nga të rinjtë për të rinjtë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?