‘Muzg’ në Opera, Eno Peçi shtron pyetje mbi identitetin përmes dancit bashkëkohor. Jehona e lahutës ndjell kujtimet, këpucët si simbolikë e rrugëtimit njerëzor

13 Mars 2023, 14:20| Përditesimi: 13 Mars 2023, 14:48

  • Share

Në gjysmerrësirën e jetës njerëzore, para se “Muzgu” të lejojë mbrëmjen të ngryset, Eno Peçi, rikthehet nga Vjena në Tiranë e kërkon një moment reflektimi, mbi identitetin, kujtimet, qenien tonë... Pyetjen mbi ndikimin e përjetimeve personale, të shkuarës, në vijimësinë e rrugëtimit njerëzor, ai zgjedh ta shtrojë përmes gjuhës së dancit bashkëkohor në skenën e “Operas”, për tri net radhazi, ku deri në 14 mars shfaq premierën botërore të baletit të mbështetur nga 'Harabel'. Muzika meditative në “Muzgun” e tij që jetësohet nga Trupa e Baletit të Operas, shoqërohet nga tingujt e lahutës, si një jehonë akustike, që pasi ndesh veshin e publikut, kërkon ta çojë atë diku larg në të kaluarën e tij...

Rekuizita e ndërtuar mbi simbolikën e kubave, këpucëve e pistës, ndihmojnë Peçin të krijojë fabulën... 50 kubat që koreografi vendos në skenë, përbëjnë kujtimet, ndërsa këpucët personifikojnë rrugëtimin e zgjedhur apo të imponuar nga rrethanat të çdokujt. Më tej një pistë, si për të rrëfyer ritmin e shpejtë të jetës...

Peçi kërkon të ngacmojë tek publiku vendas një moment kërkimi në brendinë shpirtërore. Përmes gjuhës së trupit, ai i jep alternativat, pa imponuar zgjedhje. A do të ndërtohet e ardhmja mbi kujtimet, përjetimet, të shkuarën, apo të gjitha këto do të lihen mënjanë, duke zbehur identitetin e pretenduar një rifillim të ri në vagëllimën e një agu të huaj?!

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?