Muzeu Kombëtar i Pavarësisë
qindra vizitorë çdo ditë

2 Maj 2013, 09:04| Përditesimi:

  • Share
VLORË - Qindra të rinj e të reja, nxënës të shkollave, të ardhur nga qytete të ndryshme të Kosovës, kanë qenë këto ditë vizitorë të Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, në qytetin e Vlorës.Të mbërritur çdo ditë me autobuzë, pjesë të programit të tyre gjatë qëndrimit në qytetin bregdetar, kanë qenë vizitat në mjediset e godinës, ku mbi 100 vjet më parë, punoi Qeveria e Ismail Qemalit.

Drejtori i muzeut, Agron Shehu, tha se të rinjtë dhe të rejat nga Kosova janë tepër të interesuar të njohin historinë e Pavarësisë së Kombit shqiptar. Por interesi për këtë objekt muzeal ka ardhur në rritje edhe nga kategori të tjera vizitorësh, gjë që reflektohet edhe në shtimin e turistëve të huaj që e kanë frekuentuar atë.

Historiku i godinës ku është vendosur ky muze, si dhe përmbajtja dokumentare dhe pasuria e objekteve që ndodhen në mjediset e tij vlerësohen mjaft nga vizitorët. Përkundër këtij fakti, drejtoria e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, në qytetin e Vlorës, ka hartuar dhe po zbaton një strategji të detajuar për promovimin e vlerave të këtij institucioni dhe vënien e tij në funksion të zhvillimit të turizmit.

Godina ku është vendosur Muzeu Kombëtar i Shpalljes së Pavarësisë, në qytetin e Vlorës, është ndërtuar në shekullin XIX. Ajo është një ndërtesë dy katëshe dhe ndodhet në afërsi të portit të qytetit. Për rreth 6 muaj, në vitin 1913, ajo shërbeu si rezidencë për Qeverinë e parë shqiptare, të drejtuar nga Ismail Qemali.

Godina ka 8 dhoma dhe është pajisur me mobilje të shekullit kur është ndërtuar. Në mjediset brenda saj veçohen zyra e Kryetarit të Qeverisë, Ismail Qemalit, salla e mbledhjeve të kësaj qeverie, etj. Për vlerat e saj arkitektonike e historike, kjo ndërtesë është shpallur Monument Kulture. Shtatë vjet më parë, Muzeu i Shpalljes së Pavarësisë u shpall objekt muzeal kombëtar, në varësi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve.

Redaksia Online
(s.g/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?