Muzafer Korkuti: Debati im me
Hammond-in për tezat e Vorio-Epirit

7 Dhjetor 2013, 06:44| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Në promovimin e librit “Archaeological Studies on the Prehistory of Albania” (Studime arkeologjike në prehistorinë e Shqipërisë), dje në ASHSH, akademik Muzafer Korkuti u ka kujtuar të pranishmëve debatin me arkeologun britanik Nicholas Hammond në Kongresin II të Studimeve të Europës Juglindore në Athinë në vitet ’70. Në intervistën për “Shqiptarja.com” mësojmë më tej sesi Korkuti hodhi tezën se tumat (varret kodër të lashta), të cilat janë zbuluar në Shqipëri, nuk ishin të pranishme vetëm ne epokën e hekurit, por kanë qenë edhe në epokën e bronzit. Pra, akademik Korkuti ka shtyrë më thellë në shekuj përkatësinë e trojeve ilire, duke argumentuar tezën se vetëm tradita e varrimit nuk mund të ndryshohet nga kultura të tjera, traditën varrimit e ruan ajo popullsi që e ka pasur. Ndërsa N.Hammond ishte i mendimit se tumat janë kulturë helene dhe argumentonte me armët e gjetura në tuma me mbishkrime greke. Por Korkuti argumenton se armët janë blerë nga elita dhe janë varrosur me ta në tuma, ndërsa enët e qeramikës dhe të tjerat janë vendase, ilire.
 
Profesor Korkuti, në promovimin e librit ju përmendët një histori interesante. Për ç’vite bëhet fjalë?
-Në 1970-n, gjatë Kongresit II të Studimeve të Europës Juglindore, në Athinë unë mbajta kumtesën “Marrëdhëniet e kulturës ilire me kulturat egjeiane”. 34 vjeç isha atëherë, por unë kisha shumë material nga zbulimet që ishin bërë në tumat e Pazhokut, të Vajzës, të Vojvodinës dhe trojeve shqiptare. Ishte provuar që varrosjet në tumat e Pazhokut dhe të Vajzës nuk ishin vetëm në epokën e bronzit 2000 vjet përpara, por vazhduan edhe gjatë epokës së hekurit. Pra ishte një vazhdimësi përdorimi i tumës, dhe një tumë mund të përdoret vetëm nga e njëjta popullsi. Në varreza nuk ndërhyjnë banorë të tjerë që vijnë nga kultura ose vende të tjera. Kështu që unë duke u mbështetur në këto të dhëna thashë se këta banorë që janë në epokën e hekurit, kanë qenë edhe në epokën e bronzit.

Duke e shtyrë përkatësinë e trojeve nga e njëjta popullsi, sepse rriti i varrimit e tregon më mirë se kushdo këtë. Profesor N.Hammondi, një studiues anglez, i cili kishte mbrojtur pikëpamjen e Vorio-Epirit shprehu dhe pikëpamjen se këta të varrosurit në tumat e Pazhokut që ishin bronzi i mesëm 1600 vjet para Krishtit kanë qenë greqishtfolës. Ai nisej nga të dhëna jo të plota, unë në kongres pikërisht këtë tregova. Mbështeta faktin që nuk ka ndërruar mënyra e varrimit në këto tuma që janë të bronzit të vonë dhe ky ritual i takon të njëjtës popullsi, dhe ilirët në bonzin e mesëm nuk flasin greqisht. Në qoftë se aty kishte një greqishte të shkruar në armë, këto armë bliheshin nëpërmjet marrëdhënieve tregtare nga paria fisnore, ndërsa qeramika ishte e prodhimit vendas, Ata kishin enët e shtëpisë së tyre, enët ilire. Pra unë thashë që këta banorë nuk janë greqishtfolës, por janë një popullsi autoktone që flasin me gjuhën e tyre.
 
Si u prit nga profesori n.Hamund kjo tezë?
-Profesori nuk ishte në atë moment në Kongres, por ai kërkoi me insistim të vinte në Tiranë. Tha se kishte kënaqësinë për të mësuar të vërtetën, pavarësisht se kishte pikëpamjet e tij për Vorio-Epirin, etj. Unë e prita te shkallët e avionit. Atëherë ne i prisnin si delegacionet qeveritare. Kur u prezantova: “-Korkuti”, ai u habit: “You are Korkuti?!. Me sa duket priste një profesor të moshuar. Në Shqipëri, ai nuk e atakoi më këtë problem. Zgjodhi mënyrën e heshtjes, dhe nuk u prononcua më për tezën e tij. Kjo ishte një reflektim, sepse ai qëndroi dhe pa gjithë rezultatet e  arkeologjisë sonë. Zbulimet e bindën që të ndryshonte pikëpamjet e  tij. Ai pranoi rezultatin dhe u tregua i hapur për tezën tonë. N.Hammond kishte qenë në vitet 1936 në Shqipëri. Në 1937-n e ‘38-n ai kishte shëtitur Shqipërinë me kuaj, siç tregonte, Shqipërinë e jugut në jug të Vjosës.
 
Pse ishte në Shqipëri N.Hammond në ‘36-ën?
-Hammond ka qenë një figurë komplekse, sepse ai ishte edhe oficer. Ai kishte  zbarkuar me trupat angleze në pjesën ku ai kishte bërë kërkime, por fatkeqësisht ai ra me parashutë dhe bëri një thyerje eshtrash dhe e çuan për kurim në spitalin e Kajros. Na tha se ishte fatkeqësi që nuk qëndroi dot me trupat angleze. Por ai u habit sesi që nga koha kur kishte ikur nga Shqipëria kishin ndryshuar aq shumë gjërat. Nuk e besonte se gjatë një viti në Shqipëri bëheshin 10-15 ekspedita arkeologjike që kishin sjell për 30 vjet gjëra shumë të reja. Shqipëria ishte një dërrasë e bardhë në zbulimet arkeologjike për të huajt, ndaj që me ardhjen e tij u tërhoq vëmendja e gjithë studiuesve për këto zbulime. Erdhën më pas nga Anglia nga Franca nga Italia. U bë një aktivitet i rëndësishëm ndërkombëtar në ‘72-shin, ku u gëzuam kur një akademik nga Sarajeva u shpreh se arkeologjia shqiptare hyn nga dera e madhe në arkeologjinë europiane. Edhe pas ‘90-ës shkollat e Europës Perëndimore nisën të na referohen për rezultatet tona, se në trojet tona janë zbuluar fakte që flasin.
 
 
Si e shikoni ju tezën ilire, kur vihet shpesh në konflikt me tezat e kulturës  helene?
-Teza që ilirët janë autoktonë është konsoliduar. Ndër çështjet e diskutueshme janë çështjet e kufijve të shtrirjes në pjesën veriore dhe jugore të Ilirisë. Ne kemi përmendur shtrirjen nga gjiri i Artës deri në degët e Danubit, Dravë e Sava, dhe deri në perëndim kur është Vardari si kufi gjeografik që mbështetet mbi burimet antike dhe burimet arkeologjike. Çështjet e interpretimit mbi zonat kufitare mbeten gjithnjë për mungesën e fakteve dhe ka një të vërtetë në kufirin midis dy qytetërimeve se kultura në kufi gjithnjë shkrihen. Popujt japim e marrin më shumë me njëri tjetrin dhe kufiri ndarës bëhet më turbullt më i vështirë, por thelbi i vërejtjes së kërkimit arkeologjik është kërkimi për prehistorinë e Shqipërisë, se treva perëndimore është konsoliduar që i takon ilirëve dhe qytetërimit ilir.
 
Prehistoria pse ju intrigon, a hedh dritë ajo në të qenit e shqiptarëve autoktonë?
-Autoktonia është një çështje relative, kurse në pjesën kur flasim në periudhën e paleolitit, mezolitit ne duhet të flasim për procesin evolutiv të ndryshimit të njeriut të kësaj treve. Ne na intereson në ç’stad, në ç’nivel ishin dhe këtë dëshmojnë veglat e shumta që kemi gjetur dhe kjo tregon se treva e Ballkanit perëndimor, Iliria ka qenë që në fillimin e paleolitit të hershëm një nga trevat më të hershme e Ballkanit e banuar, por këtu jeni në procesin e antropogjenezës. Jemi tek fazat kur këta janë tip neandertali në njohjen e përgjithshme. Për ne rëndësi ka që kjo trevë ka qenë e begatë. Dhe këtu hyjnë edhe studimet paleobotanikës, paleozoologjisë, etj. Pra duhet të njohim jetën dhe ndryshimet në territorin tonë, por gjithnjë autoktoninë duhet ta shikojmë relativisht në një kohë të caktuar.
 
 Shkrimi u publikua sot (07.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?