Armët si biznes për të furnizuar grupet kriminale! Elbasani, Durrësi, Vlora, Tirana dhe Shkodra qytetet më problematike

1 Dhjetor 2020, 11:36| Përditesimi: 1 Dhjetor 2020, 16:22

  • Share

TIRANË- Trafikimi i armëve dhe i municioneve është një problem i vazhdueshëm, i cili është shtrirë në vite në vendin tonë. Pavarësisht goditjes së personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal nga organet e Policisë së Shtetit, fenomeni vijon të jetë shqetësues. Vetëm një ditë më parë policia arrestoi një 47-vjeçar me një arsenal të konsiderueshëm armësh, gati për t'u shitur. Burimet bëjnë me dije se përdorimi i municioneve për biznes kryesisht bëhet për të furnizuar grupet kriminale që kanë influencë në disa prej qyteteve më të nxehta të krimit në vend.

Elbasani, Durrësi, Vlora, Tirana dhe Shkodra janë qytetet që kanë prevalencën më të lartë të rasteve të lulëzimit të këtij biznesi të paligjshëm, ndërsa janë armë dhe municione që janë përdorur edhe në disa prej ngjarjeve kriminale të muajve të fundit.

Autoritetet policore kanë arritur të godasin në disa raste tentativat e trafikimit të armëve dhe të municioneve, ndërsa në pranga kanë rënë poseduesit e tyre. Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se përgjatë vitit 2020 janë organizuar disa operacione, përmes së cilëve është arritur kapja dhe sekuestrimi i një numri të konsiderueshëm armësh dhe municionesh, qëllimi i të cilave ka qenë trafikimi për përfitime biznesi dhe më pas tentativa për t'u përdorur në atentate kriminale.

Përgjatë vitit 2020 janë 9 raste të goditjes së paligjshmërisë në tregun e paligjshëm të trafikimit të armëve dhe municionit. E krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, janë dy raste më shumë të goditura në vitin 2019, në total 11. Referuar të dhënave të vëna në dispozicion të Report TV nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit, bëhet me dije se në vitet e fundit ka një rënie të rasteve, sidomos e krahasuar me vitet 2014, 2015 apo 2016, ku kryesisht janë shënuar raste me numra më të lartë edhe të sasisë së armëve të kapura.

Një tjetër problem shqetësues që është vërejtur në luftën kundër këtij aktiviteti të paligjshëm, është edhe importimi i armëve dhe municionit që vijnë nga Serbia. Numri më i madh i rasteve të kapura kanë si vend të origjinës së importit pikërisht këtë shtet ballkanik. Për sa i përket llojit të armëve që trafikohen janë kryesisht kallëpe tritoli, fishekë, armë të tipit kallashnikovë, pistoleta, mitralozë, armë automatike, granata dore dhe detonatorë.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Alish: 01/12/2020 18:19

    Te ndara

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?