Mungesa e stafit në industrinë e turizmit, Kasa: Detyrohemi të marrim punonjës nga Azia! Muça: Rrisni rrogat e punonjësve vendas! Ceno: Pagat janë të larta

10 Korrik 2023, 20:20| Përditesimi: 10 Korrik 2023, 20:49

  • Share

Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, Erion Muça, ekspert këshillimi për punësimin dhe Zv.kryetarja e Operatorëve Turistike në Vlorë, Anisa Ceno diskutuan në Report Tv për problemet në industrinë e turizmit.

Rrahman Kasa në një intervistë për gazetarin Arbër Hitaj në emisionin 'Studio Live' thotë se mungesa e stafit është shqetësimi kryesor i industrisë së turizmit që po detyrohet të marrë punonjës nga vendet e Azisë.

“Mungesa e krahut të punës mbetet shqetësimi kryesor për industrinë e turizmit. Më parë kishim problem më shumë akomodimin se sa shërbimin por sot jemi në raporte të tjera që kishim më problem shërbimin. Nëse vijohet shtimi i numrave, pa dyshim që do të mbetet problem edhe akomodimi. Shumë struktura akomoduese, nëse flasim për vlerësim jo të mirë ose nën mesatar e kanë nga mungesa e stafit. Një pjesë e këtyre strukturave kanë filluar të marrin staf nga vendet e Azisë”, tha Kasa.

Ndërsa Erion Muça, ekspert këshillimi për punesimin sugjeron që të ketë rritje të pagave, trajnime dhe të mos synohet shumë krahu i punës që vjen nga jashtë. Sipas tij, kostoja e punonjësve të huaj është shumë e lartë për pronarët shqiptarë.

“Mundësia për të marrë punonjës të huaj është prezente por kostot për të afruar individë të huaj janë shumë të larta dhe një pjesë e operatorëve turistikë, më mirë të paguanin 20-30% më shumë punonjësit aktualë se sa të mbeten në hallka të dokumentacionit, qëndrimit apo akomodimit”, tha Muça.

Zv.kryetarja e Operatorëve Turistike në Vlorë, Anisa Ceno sugjeron punësimin e punonjësve vendas. Me argumentin se pagat janë rritur dhe turizmi është e ardhmja që mund të rrisë në detyrë punonjësit, i fton të rinjtë që të punojnë në këtë sektor.

“Pagat janë rritur rreth 40% kështu që patjetër që pagat në sektorin e turizmit janë në proporcion të zhdrejtë në nivelin e pagave në Shqipëri me profesione më të kualifikuara. Në turizëm s’duhet të studiosh, mund ta marrësh përmes studimeve por kryesisht e merr me eksperiencën. Pagat janë rritur me 40% në 2 vjet. Jam për të promovuar punën në Shqipëri pasi mbizotëron mentaliteti që shihet si punë jo shumë e kualifikuar dhe s’mund të bësh karrierë. Turizmi duhet parë si industri në të cilën investon dhe ke rritje e kompensohet me pagën shumë të lartë. I stimuloj të rinjtë se është e tashmja dhe e ardhmja”, tha Anisa Ceno.

A.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?