Arrestimi i Lefter Allës penalizon invalidët në Bulqizë! Dy javë pa marrë pagesën në Bashki, s’ka kush të firmosë! Prefekti: Zgjat 2-3 ditë, s'do ngelë askush pa paguar

30 Mars 2023, 10:07| Përditesimi: 30 Mars 2023, 13:36

  • Share

Prej dy javësh, paraplegjikët dhe tetraplegjikët në Bulqizë nuk kanë marrë pensionin e invaliditetit. Shkak është bërë mungesa e firmës së kryetarit të Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla, i prangosur për abuzim me tendera.

Me këtë problem, po përballen sot afro 970 persona në të gjitha njësitë administrative. Vonesa e pensionit  ka vënë në vështirësi të madhe keta persona me nevoja te vecanta si dhe familjet e tyre. 
Gjithë ky shqetësim me shpërndarjen e pensioneve të paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, ka ardhur për shkak të mungesës së firmës së kryetarit të bashkisë.  Dy javë më parë, Gjykata e Posaçme vendosi arrest me burg për Lefter Allën, ish-kryetar i Bashkisë Bulqizë, akuzuar për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.

Me vendim të Këshillit të Ministrave, publikuar me 24 mars, u vendos zyrtarisht shkarkimi i Allës. Ndërsa Këshilli Bashkiak ende nuk ka marrë vendimin për nënkryetarin i cili do të komandohet për të ktyer detyrën e kryetarit deri në përfundim të mandatit.
Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu i konktaktuar me telefon tha se do ti kërkohet së shpejti Këshillit Bashkiak në Bulqizë, emërimi i ushtruesit të kryetarit, por pa dhënë një datë konkrete. 

'Përsa i përket problematikave që janë krijuar në Bashkinë Bulqizë, janë në rrugën e zgjidhjes. Këto dite këshilli bashkiak Bulqizë do te zgjedh nga radhët e veta një kryetar deri ne zgjedhjet e 14 majit, sipas përcaktimit ligjor. Për pagesat nënkryetari aktual ka depozituar firmën ne thesar dhe pret konfirmimin ne AKSHI për firmën elektronike. Procedua zgjat 2-3 ditë.  Askush nuk do të ngelet pa paguar.'- tha ai.

Lefter Alla është shkarkuar nga detyra nga kryeministri Edi Rama, për shkelje të rënda, pas arrestimit nga SPAK për abuzimet me tenderat publike, duke favorizuar kompanitë e të afërmve të tij.  

Bashkë me 12 persona të tjerë, 7 prej tyre zyrtarë të bashkisë, ranë në pranga për abuzim me një tender me vlerë rreth 3 milionë euro. Në pranga ka rënë edhe nënkryetarja e Bashkisë, Enkeleda Lleshi. Arrestimi i tyre është bërë pasi akuzohen se kanë favorizuar të afërmin e Lefter Allës, Aqif Koneshën, i cili ka kryer punimet e ujësjellësit të ri.  Më 18 mars, GJKKO caktoi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për kryebashkiakun e Bulqizës, dhe zyrtarët e tjerë të arrestuar. Gjatë dëshmisë së tij, Alla i konsideroi akuzat si sulme politike ndaj tij.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?