Mpiksja e gjakut në tru
Çfarë duhet të dini

17 Tetor 2013, 05:32| Përditesimi:

  • Share
Një në rreth 20 vdekje vjen si pasojë e goditjes në tru. Po ashtu, një pjesë e madhe e pacientëve që i shpëtojnë vdekjes nga goditja në tru, jetojnë me paaftësi.
Prandaj është e rëndësishme ta kuptoni dhe të dini si të veproni në rast se një person shoqërues i juaji përjeton goditje në tru.
1. Kuptojeni goditjen në tru
Pika ose goditja (sulmi) në tru, ndodh kur qarkullimi i gjakut në tru ndërpritet. Kur ndodh goditja, qelizat e trurit në zonën e caktuar fillojnë të vdesin pasi mbeten pa oksigjen dhe lëndë ushqyese, për të cilat kanë nevojë për të funksionuar.
Ka dy forma të goditjes në tru: Goditja ishemike e trurit, kur enët e gjakut që furnizojnë trurin bllokohen; dhe Goditja hemorragjike e trurit, e cila ndodh kur ka gjakderdhje në tru ose rreth tij.
 
Mësoni shenjat

Pasi goditja lëndon trurin, ju mund të mos e kuptoni vetë se keni një goditje në tru. Për personin shoqërues, dikush që përjeton goditje mund të duket thjesht i pavëmendshëm ose konfuz. Viktimat e goditjes në tru kanë shanse më të mira të mbijetojnë nëse dikush rreth tyre i njeh simptomat dhe vepron shpejtë.
 
Cilat janë simptomat e goditjes në tru?

Simptomat e goditjes në tru janë të veçanta pasi ato ndodhin (godasin) shumë shpejt – nga këtu vjen edhe emërtimi ‘goditje’. Ato janë: Mpirje ose dobësim i përnjëhershëm i fytyrës, krahëve, ose këmbëve (veçanërisht në njërën anë të trupit, në anën e kundër të pjesës së trurit që është prekur). Konfuzion i menjëhershëm, probleme në të folur ose të kuptuarit e të folurit.
Probleme të menjëhershme për të parë me njërin ose të dy sytë.
Probleme të menjëhershme në të ecur, marramendje, humbje ekuilibri ose koordinimi. Dhimbje koke e fortë dhe e menjëhershme, pa asnjë shkaktar të njohur.
 
Çfarë duhet të bëjë një i pranishëm?
Nëse besoni se dikush ka goditje në tru – nëse ai ose ajo menjëherë humb aftësinë për të folur, nëse zhvendos krahun ose këmbën në njërën anë, ose përjeton paralizë faciale në njërën anë, kontaktoni shërbimin e urgjencës.
 
Veproni me kohë
Goditja në tru është një emergjencë mjekësore. Çdo minutë vlen shumë kur dikush ka goditje në tru. Sa më gjatë që ndërpritet qarkullimi i gjakut në tru, aq më i madh është dëmtimi. Trajtimi i menjëhershëm mund të shpëtojë jetët e njerëzve dhe të përmirësojë shanset e tyre për t’u rikuperuar me sukses.
 
Pse ka nevojë për një veprim të shpejtë?
 
Goditja ishemike, lloji më i shpeshtë i goditjes në tru, mund të trajtohet me një ilaç të quajtur t-PA. T-PA shkrin mpiksjet e gjakut të cilat bllokojnë qarkullimin e gjakut në tru. Periudha e mundshme për të filluar të trajtosh pacientët me goditje në tru, është tre orë. Por për t’u vlerësuar dhe pranuar trajtim, pacientët kanë nevojë të shkojnë në spital brenda 60 minutash.
 
Cilat janë dobitë e trajtimit?
Një studim pesëvjeçar amerikan ka gjetur se disa pacientë me goditje në tru, të cilët kanë marrë t-PA brenda tre orëve pasi kanë filluar simptomat e goditjes, ishin së paku 30 për qind më të prirë të rikuperohen pas tremuajsh me pak ose aspak paaftësi.
 
Çfarë mund të bëj për të parandaluar goditjen në tru?
Trajtimi më i mirë është parandalimi. Ka disa faktorë rreziku që shtojnë shanset tuaja për të pasur goditje në tru: Tensioni i lartë i gjakut; Sëmundja e zemrës; Pirja e duhanit; Diabeti;    Kolesteroli i lartë; Mosaktiviteti fizik. Nse pini duhan, lëreni menjëherë. Nëse keni tension të lartë të gjakut, sëmundjen e zemrës, diabet ose kolesterol në nivel të lartë, merrni ata nën kontroll dhe mbani. Kështu do të reduktoni shanset tuaja për të pasur goditje në tru

Shkrimi u publikua sot (17.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?