Bota

Temperaturat mbi 49 gradë në Kanada, 130 të vdekur për 5 ditë

30 Qershor 2021, 07:59| Përditesimi: 30 Qershor 2021, 13:49

  • Share

Kanadaja është përfshirë nga një valë nxehtësie me temperatura që kanë arritur deri në 49.5 gradë për tre ditë radhazi. Temperaturat e larta kanë shkaktuar mbi 130 viktima që nga dita e premte.

Kjo javë ka shënuar një rritje të ndjeshme të temperaturave, duke e krahasuar me temperaturat e kësaj peridhe kohore që nuk i kanë kaluar 45 gradë.

Viktimat kanë qenë kryesisht të moshuar ose persona me probleme shëndetësore.

Sipas raportimeve të policisë, vetëm në zonën e Vancouver janë regjistruar 65 viktima, në Burnaby 34 viktima dhe në Surrey 38 viktima.

“Vancouver nuk ka provuar kurrë nxehtësi si kjo, dhe fatkeqësisht dhjetëra njerëz po vdesin për shkak të saj. Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për t'i mbajtur njerëzit të sigurt. Telefonatat e qytetarëve për vdekjet e papritura në qytet janë trefishuar”, u shpreh një polic për mediat e huaja.

Temperaturat e larta i detyruan autoritetet në jugperëndim të Kanadasë që t’i mbyllin shkollat e bizneset. Edhe qendrat për testim për Covid-19 dhe njësitë mobile për vaksinim ishin jashtë funksionit.

Me valë të nxehtësisë po përballen edhe disa pjesë të Shteteve të Bashkuara.

Të hënën, temperatura në Portllend të Oregonit ka arritur në 46.1 gradë Celsius, ndërsa në Sietëll të Uashingtonit ka shënuar 42.2 gradë.

“Ky është fillimi i një emergjence të përhershme. Ne duhet ta luftojmë burimin e këtij problemi, që është ndryshimi i klimës”, tha Jay Inslee, guvernator i shtetit veriperëndimor të SHBA-së.

Ekspertët thonë se ndryshimi i klimës pritet të rrisë frekuencën e ngjarjeve ekstreme të motit, të tilla si valët e nxehtësisë.

Vala e vapës, e cila, sipas meteorologëve, është shkaktuar nga shtypja e lartë e ajrit, u zgjerua nga Kalifornia në jug deri në territoret kanadeze të Arktikut dhe është përkeqësuar nga kriza globale, e shkaktuar nga njeriu.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?