Moti i keq në vend dhe akset e bllokuara nga dëbora, Policia Rrugore në terren, thirrje drejtuesve të mjeteve për kujdes gjatë qarkullimit

21 Janar, 16:41| Përditesimi: 21 Janar, 16:54

  • Share

Policia Rrugore ka shtuar prezencën në rrugët e vendit për shkak të reshjeve të dëborës që kanë përfshirë disa qarqe, kryesisht në veri dhe juglindje. 

Nëpërmjet një njoftimi, policia u bën thirrje drejtuesve të automjeteve që të bëjnë kujdes, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të ulin shpejtësinë si dhe të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të makinës.

Gjithashtu, drejtuesve të makinave u bëhet thirrje që në akset e caktuara të përdorin zinxhirë për të qarkulluar. Ndërsa, në terren, firmat kontraktore po hedhin kripë në të gjitha akset rrugore me qëllim që mos të krijohen ngrica dhe akuj për shkak të rënies së temperaturave.

“Drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve të mos kryejnë parakalime të gabuara, të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të vendosin rripin e sigurimit. Për çdo problem kontaktoni në numrin pa pagesë 112 dhe shërbimet e Policisë do t’ju vijnë në ndihmë”, apelon policia.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?