Të enjten rikthehen reshjet e shiut, meteorologia në Report Tv: Priten përmbytje në disa zona! Javën tjetër ulen temperaturat, -6 gradë celsius në zonat malore

7 Dhjetor 2021, 11:58| Përditesimi: 7 Dhjetor 2021, 12:15

  • Share

Muaji dhjetor do të na shoqërojë me reshje shiu si edhe temperatura të ulëta, sidomos në zonat malore ku temperaturat do të ulen nën 0 gradë celsius. Meteorologia Lajda Porja tha në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv se ditën e enjte do rriten temperaturat, por do ketë një përkeqësim të situatës së reshjeve, sidomos gjatë të premten gjatë natës dhe ditën e shtunë.

Porja parashikon edhe përmbytje në disa zona. Meteorologia thekson se temperaturat do të ulen duke filluar nga e marta e javës që vjen, ndërsa termometri në zonat malore do të shënojë deri në -6 gradë celsius.

“Ka patur rënie të temperaturave sepse po depërtojnë masa të ftohta polare në territorin shqiptar. Parashikohet që dhe nesër të jetë një ditë pa reshje por ditë e ftohtë, temperaturat do kenë tjetër zbritje, në zonat malore do shkojnë deri në -5 apo -6 gradë. Ka një përmirësim situatës së reshjeve nëse i referohemi episodit të kaluar, ditën e enjte do kemi ndryshim të situatës, kemi rritje të temperaturave por përkeqësim të reshjeve të cilat do nisin që në orët e para ta paradites dhe do intensifikohen nga ora në orë. Më problematike situata do jetë gjatë natës të premten dhe të shtunën, problem do jenë zonat në veri, veri-perëndimi. Toka është e tejngopur me lagështirë, pritet të ketë përmbytje në disa zona. Situatë e paqëndrueshme deri në fillimin e javës tjetër, pritet rikthimi i reshjeve të dëborës në Lindje. Parashikohet të jemi në këtë situatë deri të martën e javës tjetër.

Situata mbetet e paqëndrueshme deri në fillim të javës tjetër. Reshje më intensive do të jenë mbrëmjen e të enjtes. Priten reshje dëbore në të gjithë shtrirjen lindore. Fundjava rezervon një mot të paqëndrueshëm, shira intensiv dhe dëborë në zonat malore. Do mbetemi në këto kushte deri në të martën e javës tjetër. Ky dhjetor do jetë i pasur me reshje. Të martën do kemi ato ditët e ftohta, që do ndjehen edhe për shkak të lagështirës në ajër. Ky dhjetor që nga data 1 deri në fund të tij parashikon të ketë temperaturat klasike të dimrit. Ky dhjetor ka regjistruar temperatura edhe më të ulëta se normalet”, tha Lajda Porja në Report Tv.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?