Moti i keq dhe përmbytja e përvitshme në veri, Panariti në Report Tv: Kërkon 2 mln euro investime! Nga qeveria jepen shumë pak

23 Janar 2023, 13:52| Përditesimi: 23 Janar 2023, 14:00

  • Share

Situata nga moti i keq dhe përmbytja e veriut është një problematikë e përvitshme. Dhe pikërisht për t’u shmangur nga kjo “traditë” e humbjes së dhjetëra hektarëve tokë duhet një investim i majmë, nënvizon në Report Tv eksperti i Bujqësisë Edmond Panariti.

Në një lidhje të drejtpërdrejt me gazetarin e Report Tv, Nertil Agalliu, ish ministri i Bujqësisë thekson se aktualisht situata është e tillë pasi duhen rivendosur ose duhen mbajtur të qëndrueshme hidrovoret. Panariti shpjegon se nëpërmjet hidrovoreve, bëhet e mundur tërheqja në më pak se 24 orë e ujit në parcela. Disa prej tyre mund të kenë dy linja furnizimi.

“Është një zonë depresionare. Është dhe një zonë që një pjesë të saj e ka nën nivelin e detit dhe nëse nuk pompohet uji qëndron në parcela. Dhe kjo nënkupton që duhen kryer investimet e duhura për të mbajtur të qëndrueshme këto hidrovore. Nuk kemi pasur ndonjë investim të madh në këto sisteme. Ato janë projektuar që të tërheqin ujin nga këto parcela

Ato janë llogaritur që të tërheqin në kohë ujin që nuk duhet të qëndrojë më shumë se 24 orë ujin në parcela.

Kjo nënkupton që hidrovoret duhet të jenë non stop në punë madje me dy linja furnizimi.”- tha Panariti.

Situata më kritike, është në hidrovoret e zonës së Balldrenit në qarkun e Lezhës, ku është e pamundur të bëhet tërheqja e ujit duke qenë se është fundosur hidrovori.

Panariti nënvizon se prej kohësh është përfolur në tryezat e qeverisë për të rivendosur në funksion hidrovorin por ende nuk është bërë i mundur konkretizimi i kësaj nisme. Ish ministri u shpreh se ky investim kap shifrën e 2 milionë eurove ndërkohë që paralel theksoi se ndihma e bordit të veriut për shmangien e incidenteve natyrore është 80 mijë euro.

“Më kritikë është situata e hidrovoreve të Balldrenit dhe kjo ndodh duke qenë se ky hidrovor është fundosur. Prej kohësh, në tryezën e qeveritarëve, ndodhet projekti për rivendosjen në funksion të plotë të këtij hidrovori. Është 2 milionë euro në mënyrë që të shpëtojë mbi 2300 hektarë dhe këtë situatë. Bordit të veriut i jepen si fonde vjetore për të zgjidhur këto problematika, vetëm 80 mijë euro. Ndërkohë që në vendet e tjera investohet me dhjetëra mijëra euro”- tha Panariti.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?