Moti i keq/ Bashkia dhe Ministria ‘përplasen’ për situatën në Shkodër

22 Janar 2023, 19:33| Përditesimi: 22 Janar 2023, 19:36

  • Share

1674117987_Screenshot1.jpg

Ministria e Mbrojtjes ka raportuar situatën e krijuar në vend nga moti i keq. Në njoftimin e përditësuar për Bashkinë Shkodër e Lezhë, ministria thotë se situata është përmirësuar.

Por në fakt, Bashkia Shkodër na sjell një panoramë tjetër për situatën në të gjithë qarkun. Sipas Bashkisë, është përkeqësuar situata pasi është rritur sipërfaqja e tokës së përmbytur.

Në mëngjes u raportua për 1220 ha tokë të përmbytur, ndërsa në përditësimin e të dhënave të Bashkisë thuhet se ka shkuar në 1340 ha sipërfaqja e tokës së përmbytur.

Raportimet nga Ministria dhe Bashkia Shkodër

Ministria e Mbrojtjes

Ministria e Mbrojtjes raporton se nuk ka banesa nën ujë në Shkodër e Lezhë, por forcat e emergjencave civile, të ndihmuara edhe nga efektivë të FA po qëndrojnë pranë banorëve në zonat, ku ka patur kërkesë për ndihmë. Borëpastrueset nga firmat kontraktore dhe ARRSH po punojnë për zhbllokimin e disa akseve në veri të vendit, në Bogë-Theth, Qafë Thore- Theth, Dushaj-Lekbibaj dhe kriposjen e disa akseve ku ka prani bore. Në të gjitha akset rrugore kombëtare qarkullimi është i lirë.

Bashkia

Situata e përmbytjeve në Shkodër është përkeqësuar gjatë orëve të fundit. Sipërfaqja totale e përmbytur në Bashkinë Shkodër është 1340 Ha, krahasuar me mëngjesin e sotëm është rritur me 120 Ha. Njësia Administrative Ana e Malit ka 1300 hektar të përmbytur, njësia Administrative Dajç 40 Ha tokë bujqësore, ndërsa rruga e Obotit ka prezence uji 80 cm (rritur me 15 cm).

Niveli i lumit Drin (hidrometri ura e Bahçallekut) shënon kuotën 6.30 e rritur me 20 cm (kuota max 7.50 m) dhe niveli i Liqenit ( hidrometri ura e Bunes) shënon 8.50 metra me një rritje prej 5 cm ( kuota max 8.70 m ). Ujësjellësi Oblika 1 është jashtë funksionit. Ende ka prezence uji në oborret e 30 banesave të fshatit Obot dhe se në rrugën e këtij fshati ka shkuar një mjet i kalueshmërisë së lartë së bashku me 4 forca të ushtrisë.

Në vendin e quajtur Urrelat e Shirqi , rruga Shirq-Darragjat ka prezence uji në rrugë 70 cm, ndërsa për momentin rruga është e pakalueshme me mjete dhe ka një rritje të nivelit prej 40 cm. Grupet e Emergjencave Civile të Bashkisë Shkodër janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës.


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ Bashkia dhe Ministria ‘përplasen’ për situatën në Shkodër! Mësimi i pezulluar në 13 shkolla! Aksi Qafë Thore-Theth i bllokuar


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?