Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar nga foltorja e Kuvendit se në vitin 2012 qeveria e Sali Berishës pengonte projektin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën, për shkak të lidhjeve familjare.
Balla po ashtu foli edhe për mosrespektimin e masave anti-Covid nga shumë politikanë, duke i cilësuar një shembull të keq që nuk duhen votuar.
“Askush nuk duhet të harrojë që në vitin 2012 qeveria e asaj kohe pengonte projektin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën, për shkak të ndërhyrjeve dhe lidhjeve familjare të Sali Berishës. Sapo ne erdhëm në qeveri, në vitin 2013, projektet e interkonjeksionit u zhbllokuan. Sot ne konstatojmë se Kosova është tërësisht e pavarur në aspektin e energjisë elektrike. Ne kemi sot rrjetin e interkonjeksionit me Kosovën falë rrjetit të KFV-së. Qeveria gjermane ka investuar në Shqipëri në këto 30 vjet mbi 1.1 miliardë euro, është ne vendin e parë të investuesve direkt në Shqipëri”, tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar u ndal edhe te procesi i legalizimeve, duke u shprehur se “nga viti 2005 deri në 2013 qeveria e Sali Berishës legalizoi 600 banesa, kryesisht dyqane dhe kioska të miqve të pushtetit, ndërsa nga viti 2013 e sot janë legalizuar 16 mijë objekte”.- tha Balla.
Sa i takon masave anti-Covid Balla u shpreh: “Ne politikanët duhet të jemi shembull për respektimin e masave. E vërteta është që politikanët në një pjesë të madhe të territorit janë bërë shembulli më i keq për mosprespektimin e rregullave. Një politikan që shkon pa maskë të takojë qytetarët edhe kur e ka kaluar covid-in nuk duhet votuar”.
Lajmi kryesor:
Kuvendi shtyn afatin e komisionit për raportin e Dick Marty-t, mjetet e identifikimit të personave mbi 75-vjeç bëhen të përjetshme
M.Q.//ReportTv.al