Taulant Balla

‘Mos pranoni asnjë ndërhyrje’, Balla porosi Policisë së Fierit: Zbardhni ngjarjet e rënda kriminale

19 Janar, 18:20| Përditesimi: 19 Janar, 19:22

  • Share

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka qenë në Fier për një analizë më strukturat drejtuese të Policisë. Në fjalën për mediat, Balla tha se zbardhja e ngjarjeve të rënda kriminale do të jetë në fokus të punës së policisë, që sipas tij do jenë një test për te fituar besimin e publikut.

Ministri theksoi detyrat e policisë për të realizuar zbulimin e vrasjeve, në të cilën përmendi edhe vrasjen e deputetit socialist Fatmir Xhindi në Roskovec në vitin 2009. Ai theksoi se nga pritshmëria e rezultateve të punës së strukturave policore do të ketë edhe ndryshim në drejtimin e tyre.

“Presim nga DVP Fier rezultate për ngjarje të vjetra dhe më të reja, duke nisur nga vrasja e Fatmir Xhindit, ajo e tetorit 2021, etj. Na duhet të ngremë grupe të përbashkëta dhe këtu gjej rastin të falënderoj Prokurorinë Fier, drejtuesi i së cilës ishte dhe sot në analizë, për të bashkëpunuar në dobi të hetimit, të vendosjes në një plan pune të gjithë rrethanave dhe për të shkuar tek tezat e reja të një hetimi të plotë, që mund të na çojë në zbulimin e autorëve të ngjarjeve të vjetra por dhe të reja”, tha Balla.

Balla tha se në fokus do të jetë gjithashtu krimi ekonomik si edhe ai kundër trafiqeve që kanë qenë prezent në këtë territor. Përsa i përket narkotikeve Balla theksoi se kjo është një beteje e vazhdueshme deri në arritjen dhe ndalimin e kokave të rëndësishme të këtij trafiku.

"As unë as publiku, nuk mjaftohet me bishtat, mirëpresim që gjatë intensifikimit të operacionit kombëtar "Tempulli", të kemi rezultate konkrete për të shkuar tek kokat e rrjeteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike, droga të forta apo kanabis apo lloje të tjera. Kjo është një detyrë që Drejtori i DVP Fier e di fare mirë", tha Balla. 

Ndër të tjera, ministri i Brendshëm i ka kërkuar drejtuesve të Policisë së Fierit të mos pranojnë asnjë ndërhyrje në punën e tyre.

“Me thoni një rast kur unë qoftë më parë, qoftë si Ministër t’ju kem marrë një herë në telefon. Urdhrat dhe porositë i merrni nga eprorët dhe nga ligji”, tha Balla.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?