Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis

Mitsotakis nga samiti i NATO-s: Çështja e emrit të Maqedonisë së Veriut, e panegociueshme

9 Korrik, 21:53| Përditesimi: 10 Korrik, 00:34

  • Share

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, tha se do ta ngrejë shqetësimin lidhur me mosrespektimin e Marrëveshjes së Prespës nga Qeveria e re maqedonase, gjatë samitit të NATO-s që po mbahet në Uashington.

Greqia dhe fqinji i saj arritën marrëveshje për emrin e shtetit, dhe Shkupi u pajtua që të ndryshojë emrin e shtetit nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut dhe Athina hoqi dorë nga vetoja për anëtarësimin e fqinjit të saj në NATO.

Presidentja e re maqedonase, Gordana Silanovska-Davkova, gjatë inaugurimit të saj në maj, iu referua shtetit të saj si Maqedoni e jo Maqedoni e Veriut.

Tensione mes Shkupit dhe Athinës edhe gjashtë vjet pas Marrëveshjes së Prespës

Duke marrë pjesë në samitin për 75-vjetorin e themelimit të NATO-s, Kyriakos tha se “kam shqetësime serioze” lidhur me përdorimin e emrit nga Qeveria e re maqedonase e udhëhequr nga VMRO DPMNE.

“Kjo është një çështje që unë do ta ngre”, tha Mitsotakis në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, duke thënë se çështja e emrit “thjesht, nuk është një çështje e negociueshme”.

“Nuk është konstruktive. Nuk i ndihmon rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut. Është një ndërlikim i panevojshëm në një kohë kur ne do të duhej të gjenim zona për bashkëpunim”, tha ai.

Paraprakisht, Mitsotakis kishte kërcënuar se Greqia mund të rrezikojë rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Lideri grek, që më herët nuk ishte pajtuar me Marrëveshjen e Prespës, që ishte arritur nga Qeveria paraprake e krahut të majtë, tha se e ka bërë të qartë se kjo është marrëveshje ndërkombëtare “dhe unë respektoj”. /kosovapress/

S.B//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Hapësirat publike në plazhe, sipas jush janë: