Tirana

“Mitet e Tiranës”/ 5 artistë, shkrimtarë e profesorë rrëfejnë kujtimet e rralla për kryeqytetin e shqiptarëve

22 Gusht 2021, 13:50| Përditesimi: 30 Gusht 2021, 14:00

  • Share

Tirana ndër vite ka pritur gjenerata të tërë artistësh, aktorë e shkrimtarë, shumë prej të cilëve sot nuk jetojnë më. Por, qyteti që vijon të ndryshojë, fshihet ende në kujtesën e shumë prej atyre që sot e kujtojnë me nostalgji si ka qenë, pa e fshehur kënaqësinë se Tirana po transformohet e zhvillohet si një qytet modern e kozmopolitan.

Dokumentari i publikuar së fundmi, me titullin “Mitet e Tiranës”, tregon përmes rrëfimeve mbresëlënëse të emrave të njohur si Fatos Kongoli, Bujar Kapexhiu, Luljeta Bozo, Skënder Kamberi dhe Edmond Tupja, Tiranën e dikurshme, por edhe Tiranën e sotme. Aty ngërthehen kujtimet e gjalla të secilit prej tyre, për Tiranën ku u rritën dhe jetojnë ende sot.

Bujar Kapexhiu, regjisor dhe skenarist
“Tirana si metaforë është një femër. Atëherë i thonim shoqe, kurse tani zonjë, zonjushë. Atëherë Tirana ka qenë më e vogël, tani shumë më e madhe. Atëherë ishte e ulët, e shkurtër. Tani është e gjatë. Tirana në atë kohë ka qenë me e ndrojtur, më e urtë, tani është më e zhdërvjellët. Ka qenë më e varfër, më e uritur, sot është më e ngopur dhe e pasur. Dikur kishim shumë të njohur, kurse sot kam shumë të panjohur. Tirana ka ndryshuar shumë sepse në atë kohë njihnim edhe banorët e lagjes tjetër, sot nuk njohim as komshinjtë e shkallës.

Luljeta Bozo, inxhiniere
Janë bërë shumë gjëra të mira në tre drejtime: Ka një rregull në dhënien e lejeve të ndërtimit, janë asfaltuar të gjitha rrugët, jo vetëm brenda në qytet, por edhe në periferi, dhe e treta, që ka shumë rëndësi, është gjelbëruar. Është një qytet që ka gjysmën e Shqipërisë, me shumë kultura dhe me një harmoni të jashtëzakonshme.

Skënder Kamberi, piktor
Tirana i ka mëngjeset shumë të bukura. Ka Dajtin, në agim është brilant. Kodrat. E kam pikturuar disa herë. Kurse kullat i kanë dhënë një notë më moderne qytetit, më kozmopolite, e kanë afruar më shumë me Evropën. Kjo më kënaq dhe më bën të punoj mirë këtu.

Edmond Tupja, përkthyes dhe shkrimtar
Te Rruga e Bogdanëve është një shtëpi një ose dy katëshe, të cilën e kam bërë edhe personazh në një libër, e cila kundërmonte era lule, me saksi, me pemë frutore. Shkoj ende sot aty për nostalgji. Shtrihet në drejtimin veri-jug dhe e rreh era. Është një rrugë magjepsëse!

Fatos Kongoli, shkrimtar
“Në Tiranë jam rritur dhe jam formuar. Të gjithë jetën time e kam kaluar këtu. Deri vonë, para se të sëmuresha, mjedisi më i parapëlqyer për mua ka qenë xhiroja rreth Liqenit Artificial. Dilja çdo ditë herët në mëngjes dhe e nisja vrapin sapo mbërrija të Diga. I bija dy herë rreth e rrotull me vrap dhe kthehesha në shtëpi. Më vonë, kur u shtrova në spital nga hipertensioni, mjekët më thanë se kjo më kishte shpëtuar jetën. Tirana është sfondi i pandryshueshëm i librave të mi.”

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?