Periferi

Mirësjellja na shpëton. Edhe Natyrën

1 Prill 2019, 09:13| Përditesimi: 15 Prill 2019, 18:47

  • Share

Bukuritë e Shqipërisë nuk janë merita jonë. Malet, lumenjtë, pemët, gurët, plazhet, kështu na kanë qëlluar. Mirëmbajtja, përkujdesja, ruajtja është merita jonë, por këtu çalojmë. Erërat e këtyre ditëve na kanë sjellë para syve papastërtitë që në vite hedhim në natyrën ku jetojmë.

Rruga dje për në Ujvarën e Shëngjergjit ishte e bukur. Akoma më të bukur miqtë me fëmijët, me të cilët në gjithë këto vite bashkë shijojmë e luajmë në kontakt me Natyrën… që lëngon.

Anash rrugëve, të mbërthyera në degë e trungje qese, paketime ushqimesh, shishe plastike e kanaçe që kanë ushqyer e kënaqur barqe, por që sot i rrinë si lak në fyt bukurive të vendit.

Nuk ka shtet, nuk ka vullnetarë, nuk ka struktura që të mbledhin plehrat e hedhura në vende ku mund të arrijnë individët të konsumojnë përherë e në çdo kohë. Dhe besoj shumë se këtë e bëjnë vetëm njerëzit e vrazhdë, ata që pa më të voglin skrupull, edhe poshtë magjisë së Ujvarës së bukur të Shëngjergjit janë në gjëndje që konfeksionin e chipsave ta lëshojnë. Janë ata që shtyjnë për të arritur në vendin më të mirë, që shkelin këmbë e nuk kërkojnë falje se e bënë, ata që futen pa radhë e që bërtasin sikur në botë vetëm ata janë. Të pasjellëshmit ekzistojnë.

Një mësuese e nderuar na kujtonte një ditë: Fëmijët në shkollë mësojnë lexim, shkrim, matematikë, histori e gjeografi, mirësjelljen do ta marrin nga prindërit, nga sjellja në familje, nga njerëzit më të afërt që i rrethojnë.Veprimet e mira e “xhentile” aty do t’i shikojnë.

Nuk kam parë kurrë në jetën time që një fëmijë apo i rritur i mirëedukuar të hedhë papastërti apo natyrën ta shkatërrojë. Për këtë, që në familje, t’i mësojmë fëmijët që të jenë të sjellshëm e të duruar, se nuk është agresiviteti, fortësia, prishja, arroganca, dhuna, të qënit i pari duke shkelur të tjerët e Natyrën, që i bën e na bën më të sukseshëm se të tjerët.

Mendoj se vetëm mirësjellja na shpëton.

xy//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Vero: 01/04/2019 09:58

    Duhet edhe ndonje Reklame sensibilizuese nga Tv e media,ne sherbim te kesaj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?