'Mirë që nuk pësuam të dytin, kemi mangësi', Zoran Zekic harron Romën: Do luajnë lojtarët që s'kanë minuta

11 Gusht 2023, 10:02| Përditesimi: 11 Gusht 2023, 13:03

  • Share

LETONI - Partizani fitoi dje 1-2 në transfertë kundër Valmiera, në ndeshjen e parë të turit të tretë të Conference League. Kampionët e Shqipërisë përmbysën ndeshjen në Riga të Letonisë, duke shënuar me Carën dhe Rrapajn.

Pas ndeshjes foli trajneri i të kuqve, Zoran Zekic. Kroati tregoi mangësitë e pjesës së parë të lojës dhe thotë se po mendon për ndeshjen e kthimit. Një rezultat pozitiv të enjten e 17 gushtit në "Elbasan Arena", do bënte që Partizani të shkonte në play-off e Conference League.

Veç këtij dueli, Partizani luan nesër në 20:00 kundër Romës, miqësoren e luksit që zhvillohet në "Air Albania".

- Opinioni juaj për ndeshjen dhe sa e rëndësishme do jetë mungesa e Mehmetit?

Mehmeti ishte nga më të mirët sot. Do na mungojë patjetër. Sigurisht kemi lojtarë që do e zëvendësojnë. Ka përfunduar vetëm ndeshja e parë, kemi dhe tjetrën për të luajtur. Ndeshja me Romën luhet pas dy ditësh, do ketë hapësira për lojtarët që s'kanë pasur minuta. Por që sot po mendojmë për Valmierën.

- Si ju duk kundërshtari sot dhe çfarë ndryshoi për mirë në pjesën e dytë?

E thashë dhe dje në konferencën para ndeshjes, kam respekt për ekipin e Valmierës. Sot ndodhën situata të papritura, ishim dobët me kontaktin, nuk luajtëm mirë në rastet kur nuk e kishim topin. Por falë Zotit, Valmiera nuk e shënoi një gol të dytë pasi do kishte qenë problem i madh. Jam i lumtur për fitoren, por nuk e gënjej veten. Kemi mangësi që duhet t'i përmirësojmë në vazhdim.

- Çfarë mendoni për paraqitjen e Kocijanit dhe një mendim për tifozët?

Në fillim do flas për tifozët. Udhëtim i gjatë për ta, jemi të lumtur që i kemi afër, qofshin 10, 5 apo 1000. Duhet t'i respektojmë e të shijojmë çastet e mira me ta. Kocijan nuk është aty ku duhet me përshtatjen. Lojtarë si ai ka dhe të tjerë që po mësohen me idetë e reja, ekipin. Shpresojmë me punë të jemi çdo ndeshje e më mirë.

S.DH//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?