Mirditë/ Përkujtohet 100-vjetori i shkollës së parë në Selitë, ‘djepi’ shekullor i dijes u hap mes maleve nga Dom Vlash Muça

16 Nëntor 2023, 16:51| Përditesimi: 16 Nëntor 2023, 16:57

  • Share

Një shekull më parë u çel shkolla në Selitë të Mirditës. Ky vit jubile u përkujtua nga ish-mësues e nxënës që kontribuan në përçimin e dijes.

Ishte nëntori i vitit 1923, kur hapi dyert për herë të parë në çelën e Kishës së "Shën Llezhdrit", shkolla e Selitës në Mirditë, me mësues Dom Vlash Muçën. Zilja e shkollës kumboi bashkë me kambanën e kishës, duke njoftuar lindjen e një epoke të re që i dha fund analfabetizmit.  Pjesë e veprimtarisë përkujtimore u bënë ish-mësues, ish-nxënës dhe autoritete lokale.

“Kjo shkollë ka emrin Bajram Curri, i cili ishte mik i Selitës, dhe Selita e mbrojti atë në ato ditë të vështira kur hidheshin ditët e shtetit modern të shteti shqiptar”, tha poeti Viktor Gjikolaj.

Ndërsa drejtori i Arsimit, Renuar Kolaj, shprehet se “100 vjet nuk janë shumë në historinë e një vendi, por hapja e një shkolle në këto male ishte një rreze drite për rrugën e njerëzve”.

Sot pas një shekulli, në shkollën 9-vjecare të Selitës mësojnë vetëm 5 nxënës, pasi fshati është prekur nga shpopullimi. 

“Bardhaj apo Selita është varfëruar nga largimi i njerëzve, ndaj ne duhet të japim një shpresë për zhvillimin e zonave malore dhe mbajtjen hapur të shkollës 100 vjeçare”, tha kryetari i bashkisë Mirditë, Albert Melyshi.

Në përvjetorin jubile të shkollës së parë shqipe në Selitë u vlerësuan me çertifikata mirënjohje ish-mësues që dhanë kontribut në arsim.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Minimumi jetik në vend 184 euro për person, a është i mjaftueshëm?