Miratohet pr/ligji për menaxhimin e Butrintit, Braçe: Mbroni kufijtë e zonës së mbrojtur, një herë është abuzuar me ndërtime! Margariti: Investimi strategjik është jashtë Parkut Kombëtar 

17 Maj 2022, 12:40| Përditesimi: 17 Maj 2022, 16:10

  • Share

Komisioni i Ekonomisë ka miratuar projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”. Projektligji u miratua vetëm me votat e qeverisë, ndërsa opozita tha se do e dërgojë në Gjykatë Kushtetuese, njësoj si projektligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar.

"Në këtë datë që u shemb teatri, po kalojmë Butrintin tek një privat në një formë koncesionare. Ju para 2 vitesh shkatërruat Teatrin Kombëtar vendim që u rrëzua nga gjykata kushtetuese por pasojat e tij nuk u zhbënë dot sepse teatri ishte shembur. Edhe ky ligj do atakohet në gjykatën Kushtetuese nëse e miratohet kështu siç është", tha Ina Zhupa.

Ndërsa deputeti socialist Erion Braçe ngriti shqetësimin për ndërtimet që po bëhen pranë Parkut Kombëtar të Butrintit, dhe kërkoj që Këshilli i Ministrave të marrë masa për të ruajtur kufijtë e parkut që është cenuar nga një investim strategjik.

Braçe: Nuk kam asgjë me marrëveshjen, por kontesti im vjen për zonën e Mbrojtur, për parkun Kombëtar të Butrintit që është më i gjerë sesa parku arkeologjik i Butrinti. Është pikërisht parku që është bërë objekt natyrisht prej interesave për tu ngatërruar me aktivitete të tjera zhvillimore. Prandaj dua që para nenit 2 të ketë një pikë që thotë ngarkohet këshilli i Ministrave që të garantojë paprekshmërinë e kufijve të parkut Kombëtar të Butrintit Zonë e Mbrojtur RAMSAR.

Margariti: Kjo është e shprehur në planin e menaxhimit të integruar, ndërsa zona që i referohet Braçe nuk është pjesë e marrëveshjes. 

Braçe: Fola për një territor që është shumë më i gjerë pa të cilin parku arkeologji i Butrintit do të jetë i cenueshëm vazhdimisht. Për të mbrojtur zonën nga i gjithë interesi për të investuar dhe ndërtuar aty po bëj këtë propozim për të garantuar kufijtë e parkut Kombëtar të Butrintit. Ai qytet antik pa atë peizazh që ka do të jetë hiç gjë dhe do të kthehet shumë shpejt njësoj si Amfiteatri i Durrësit.

Margariti: Debati për investimet strategjike dhe për ndërtimet që flitet ato janë jashtë zonës së Mbrojtur edhe të asaj që mbrohet nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura. 

Braçe: Në dijeninë time në një rast Parku Kombëtar i Butrintit zonë e mbrojtur është cenuar dhe kemi qenë prezent edhe unë edhe ju. Çfarë ndodhi, a ka mundësi që të mos cenohen më kufijtë e zonës së mbrojtur, se me vërtet themi interes strategjik por fakti që shkoj e ndërtoj atje 20 vila kjo qenka gjë strategjike?? E kam të vështirë ta mendoj në fakt.

Gjylameti: Ky propozim duhet ti kalojë Këshillit të Ministrave për vendim, nuk është objekt i këtij ligji.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?