Ina Zhupa

Miratimi i ligjit për Zonat e Mbrojtura, Zhupa: Do të kthehen në sheshe ndërtimi, shkatërrohet mjedisi! Tabaku: E çojmë në Gjykatën Kushtetuese

23 Shkurt, 13:18| Përditesimi: 23 Shkurt, 15:40

  • Share

Një ditë pasi vetëm me kartonat e socialistëve, Parlamenti miratoi ligjin për zonat e mbrojtura, opozita vijon të jetë e shqetësuar se ky ligj do t’i hapë rrugë ndërtimeve në këto zona.

Deputetja Ina Zhupa, përgjatë një konference të mbajtur me ekspertë të mjedisit, tha se ligji i kthen zonat e mbrojtura në sheshe ndërtimi.

“Nuk ka më zonim të zonave të mbrojtura. Në çdo pikë të zonave të mbrojtura t’i mund të ndërtosh, mjafton që të marrësh miratimin në KKRT, mjafton që Këshilli i ministrave, Edi Rama të të japë firmën fap e fap dhe ti mund të ndërtosh në cilëndo zonë të mbrojtur të Shqipërisë. Ti mund të ndërtosh në Butrint, Karavasta, etj. Është hera e parë që një ministre mjedisi të mbrojë shkatërrimin e mjedisit. Është hera e parë se si mund të justifikohet që për turizëm u dashka betoni dhe jo natyra.'- tha Zhupa.

Nga ana tjetër, deputetja Jorida Tabaku paralajmëroi padi në Gjykatën Kushtetuese kundër këtij ligji duke argumentuar se shkel direktivat e Bashkimit Europian.

“Ditën e djeshme parlamenti miratoi në një akt të paprecedentë, ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura. Përveç faktit që procesi legjislativ nuk ishte transparent, ishte abuziv. Ligji në thelb është një ligj që në thelb shënon një hap tjetër ndaj prishjes së zonave të mbrojtura, kapjes së investimeve strategjike në këto zona por njëkohësisht edhe shkeljes së direktivave të BE. Kam qenë në kontakt me kolegët e Parlamentit Europian, me Komisionin Europian për ta ngritur këtë në një nivel tjetër. Por sigurisht që beteja do të vazhdojë, në koordinim me gjithë shoqërinë civile dhe në mbështetje të tyre në momentin që do të shkojnë tek presidenti, do të përgatisim njëkohësisht dhe padinë për Gjykatën Kushtetuese. Parlamenti i Shqipërisë ndodhet në një pozitë shumë të vështirë, në një moment shumë të rëndësishëm por sidoqoftë, çdo ligj që kalon këtu, çdo akt që miratohet këtu të jetë në frymën dhe në gërmen e legjislacionit të BE-së. Nuk mund të pranojmë më, ligje të tilla që thjesht notërizojnë korrupsionin”- u shpreh Tabaku.

Socialistët kaluan me 74 vota pro ligjin për “Zonat e mbrojtura”. Teksa në seancë votohej jashtë sallës së parlamentit një grup aktivistësh të shoqërisë civile dhe deputetësh të opozitës protestonin.

Pas votimit një reagim erdhi edhe nga delegacioni i BE-së në Tiranë, i cili teksa kujtoi detyrimin që ligje të kësaj natyre kërkojnë konsultim publik para miratimit dhe garantoi se do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura.

Menjëherë pas deklaratës së tyre, erdhi edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama.

“100% në një mendje me Bashkimin Europian! Ne kemi bërë në 10 vitet e fundit një përparim shembullor në mbrojtje të biodiversitetit dhe sot jemi të parët në rajon për sasinë e zonave të mbrojtura. u shpreh Rama në mbrojtje të ligjit.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?