Miratimi i hartës së re gjyqësore, Kolmaraku: Ka kosto për qytetarët, i cenohet aksesi në drejtësi

21 Korrik 2022, 20:36| Përditesimi: 22 Korrik 2022, 07:39

  • Share

Për Komitetin Shqiptar të Helsinkit, harta e re gjyqësor e miratuar ditën e sotme nga qeveria shqiptare cënon aksesin në drejtësi të personave që janë në kushte të vështira ekonomike.

Ardita Kolmarku nga Komiteti Shqiptar i Helsinikit tha për Report Tv në emisionin “Studio Live”  me gazetarin Arbër Hitaj se qytetarëve do t’i rriten kostot, për shkak të shpenzimeve për transportin  që atyre do t’i duhen për të shkuar në gjykatën e rrethit përkatës.

“Kemi pasur që në fillim një qasje oponentë, kritike, kemi mbajtur qëndrimin mbi 3 çëeshtje problematike, mungesa e transparencës në grupin ndër institucional të punës, që ishte ngritur në muajin shkurt të vitit 2019, janë realizuar 10 mbledhje të mbyllura, nuk ka pasur transparencë në raport me organizatat e shoqërisë civile. Shikohet dhe mungesa e gjithë përfshirjes në grupin e punës. Me shqetësim shikojmë se pjesë janë gjyqtarë që janë pjesë e  këtyre gjykatave që do të shkrihe.Një shqetësim evident është mungesa e analizave. Mungojnë analizat fillestare dhe studime fizibiliteteti lidhur me aksesin në drejtësi të shtetasve që nuk kanë të ardhura dhe janë në kushte socio-ekonomike të vështira. Nëse marrim në konsideratë që një qytetar të vijë nga skajet, për shembull nga rrethi i Tropojës për në Tiranë, do të dojë kosto të konsiderueshme në dëm të qytetarëve, duke llogaritur se duhet të paguajë dhe avokatin dhe kostot e transportit.”, u shpreh Kolmarku.

Qeveria shqiptare miratoi sot Hartën e re Gjyqësore. Ashtu siç kishte paralajmëruar harta e re është miratuar, pa marrë parasysh bojkotin e avokatëve që vazhdon prej disa javësh. 13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykata apeli për të gjithë vendin. Ky është përfundimisht vendimi i Këshillit të Ministrave për hartën e re gjyqësore në vend. Lajmin për këtë vendim e ka dhënë ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.

Kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, teksa e cilësoi si hartën më të gabuar, tha se për ta kundërshtuar, do ta çojnë hartën e re gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese.

Aktualisht Shqipëria ka 6 apele në të gjithë vendin dhe reduktohet në një Apel kombëtar ndërsa 13 do të jetë numri i gjykatave të shkallës së parë nga 22 që është aktualisht. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.

KLGJ miratoi draftin më 10 qershor dhe i vetmi ndryshim nga propozimi i mëparshëm ishte shtimi i një gjykatë e shkallës së parë në Sarandë.

Avokatët prej javësh kanë bojkotuar seancat gjyqësore, si edhe masat e sigurimit. Lidhur me bojkotin e avokatëve ka pasur një reagim edhe nga qeveria. Vetë kryeministri Edi Rama tha se harta gjyqësore nuk ka për të ndryshuar duke thënë se bojkoti është i pavlerë. Mirëpo në përgjigje të kësaj deklarate, kreu i Dhomës së Avokatisë Kombëtare, Maks Haxhia tha se nuk kërkojnë nga qeveria, por KLGJ, duke thënë se ka mundësi për zgjidhje.

S.C//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?