Trajneri i kombëtares shqiptare, Edy Reja

Miqësorja me Italinë dhe e ardhmja me Kombëtaren, Edy Reja 'rrëfehet' në Itali: Asllani dhe Kumbulla të ndërrojnë skuadër, Broja ka nevojë për përmirësim

15 Nëntor 2022, 11:14
  • Share

Trajneri i kombëtares shqiptare, Edy Reja foli për "Tuttomercato" në prag të miqësores Shqipëri - Itali që zhvillohet nesër në 20:45 në "Air Albania". Italiani i stolit kuqezi ka thënë se pas ndeshjes me Italinë dhe Armeninë (19 nëntor) do ulet me kreun e FSHF Armand Duka për të vendosur të ardhmen. Reja foli për ecurinë në krye të kuqezinjve, teksa nuk harroi të japë këshilla për lojtarët e tij.

"Kualifikueset e Botërotit të Katarit - Ne e provuam deri në fund. Mjaftonte një pikë me Poloninë dhe më pas kemi pësuar gol në 10 minutat e fundit të ndeshjes pas një gabimi. Keqardhje sepse kemi fituar dy herë ndaj Hungarisë dhe kemi grumbulluar në total 18 pikë. Ishte një moment pozitiv dhe kishim besim.

Liga e Kombeve - Ishte ndeshja e fundit, nëse fitonim do të shkonim në ‘Play-Off’. Rusia nuk ishte në grupe dhe rruga ishte e shtruar. Nuk ka zhgënjim, por shpresa kishim.

Te Kombëtarja një koloni "italianësh" - Ka shumë lojtarë të Shqipërisë që luajnë në Itali. Gjimshiti, është Kumbulla, i cili është një djalë i mbarë, por nuk po aktivizohet me Romën. Ismajli te Empoli është duke u rritur, një mbrojtës i madh. Nëse shihet më i qetë në fazën e qarkullimit të topit, do të bëhet një lojtar i madh. Më pas në Itali luajnë, Hysaj, Bajrami dhe Berisha, kapiteni ynë", tha Reja fillimisht.

Trajneri u ndal edhe te e ardhmja e Kumbullës dhe Asllanit dhe minutat e pakëta, duke treguar se iu ka sugjeruar që të huazohen në skuadra të tjera. Veç tyre Reja ka treguar edhe "defektin" e Brojës.

"Kristjan Asllani - Ka nevojë për të luajtur. Si trajner i Shqipërisë them që ai dhe Kumbulla të largohen në huazim për të pasur sa më shumë minuta në këmbët e tyre. Ia kam komunikuar edhe atyre këtë gjë. Nuk janë të kënaqur, por çfarë mund të bëjmë tani? Janë nën kontratë me dy klube shumë të mëdha. Duke thënë këtë, shpresoj se diçka mund të ndodhë, duke pasur parasysh moshën që ata duhet të luajnë më shumë.

Armando Broja - Ka një potencial të madh. Është një lojtar i strukturuar mirë, 1.90 m i gjatë, ka teknikë dhe shpejtësi të madhe, kur niset në sprint nuk e kap njeri. Ai ka vetëm një gjë jo të mirë, atë të qarkullimit. Duhet që të përmirësojë fazën e dytë, atë kur aksioni përfundon sepse aty ndihmon shumë pak. Nga ky këndvështrim këtë vit po ecën pak më mirë, por sigurisht që nuk e ndihmon fakti që luan 20 ose maksimumi 30 minuta.

Merkato për Brojën - Napoli e ka kërkuar shumë. Drejtuesit e Napolit kanë qenë shumë të interesuar, por Broja kishte qëllim vetëm të qëndronte te Chelsa, klub ku i kanë rinovuar kontratën. Kam folur edhe me drejtorin sportiv të Napolit për të", tha 77 vjeçari.

Trajneri foli edhe për kontratën te Shqipëria, ndeshjen miqësore me Italinë dhe për arsyen se përse të "Kaltërit" nuk ia dolën të ishin në Kupën e Botës në Katar.

"Miqësorja me Italinë - Pres që Mancini t’i japë hapësirë edhe atyre futbollistëve që kanë luajtur pak. Jo një kombëtare eksperimentale, por me ndonjë të re. Kur luan ndaj Italisë ka shumë motivim. Ka pritshmëri të madhe edhe nga ana e shqiptarëve, sepse këta të fundit kanë konsideratë të madhe për italianët. Shqiptarët i shohin të gjitha ndeshjet tona në Itali dhe i njohin mirë të gjitha skuadrat. Shpresoj të jetë një ndeshje e mirë dhe shpresoj që Shqipëria të bëjë mirë. Nuk po them të marrim një rezultat pozitiv, por një paraqitje të mirë, po. Do të thotë të bënim hapa të mëtejshëm përpara.

E ardhmja te Shqipëria? - Kam një raport të mirë me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Jam i qetë. Pas këtyre miqësoreve do të na duhen disa ditë për të menduar dhe më pas se çfarë do të vendosim.

Çfarë shpjegimi keni për Italinë jashtë Botërorit? - Ne trajnerët e mbajmë gjithmonë në konsideratë të madhe këdo që na dërgoi në majë dhe të bëri të marrim rezultatin e madh, edhe nëse ai lojtar nuk është më mirë dhe nuk ka intensitetin që kishte. Problemi është se në kombëtare ju nuk keni kohë për t'u rikuperuar. Nuk keni kohë, çdo ndeshje është vendimtare. Nga ky këndvështrim, ne nuk duhet të shohim askënd në sy pas kësaj paraqitje", tha Reja.

S.DH/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sokol: 15/11/2022 11:48

    Ne pergjithesi fotbollistat shqiptare jashte shtetit jane si puna e asaj thenies vjeter," niset mushk è del gomar ".

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?