Gazment Bardhi poshtë ballkonit të Sali Berishës

Minxhozi: Gazmend Bardhi, nga Uashingtoni në Rrugicë (me celular në dorë)!

7 Shkurt, 13:10| Përditesimi: 7 Shkurt, 13:19

  • Share

Kishte dy rrugë pas kthimit nga Amerika. Të shkonte në Kuvend e të niste punën për ndërtimin e një grupimi alternativ ndaj Berishës dhe Bashës, apo të ulte kokën e të bashkohej me turmën e vogël amorfe që çdo natë dëgjon psallmet e Doktorit nga dritarja e shtëpisë. Gazmend Bardhi bëri një zgjedhje të qartë: u ul në gjunjë para Doktorit tek rrugica e famshme. Ju dha tundimit për të kapur një mandat parlamentar në parlamentin e ardhshëm dhe për t’u konformuar me dalldinë kolektive të Rithemelimit, në vend që t’i hyjë shtegut të vështirë të nxjerrjes së PD nga gropa ku ka rënë me duart e Sali Berishës dhe të pasardhësit të tij Basha.

Është mirë që tashmë në të djathtë ka më shumë qartësi, e më pak mëdyshje e fshehje pas gishtit. Gazmend Bardhi ishte një ndër përhapësit kryesorë të tymit në lidhje me qëndrimin ndaj krizës në partinë e tij. Ishte dhe është një nga personat e rëndësishëm në mozaikun e shpërndarë të të djathtës për arsye rrethanore më shumë sesa për motive të prekshme. E nisi luftën me karriget e Kuvendit në ditën kur Berisha u shpall ne hetim dhe dhëndrri i tij u arrestua në Rinas, e megjithatë predikonte me kokëfortësi një pavarësi nga Berisha që dukej së largu se ishte false dhe e shtirur. Duke shkuar në Canossa, tek rrugica e Berishës, ai bëri gjënë e drejtë për të dhënë mesazhin e duhur tek mijëra demokratë që nuk dinë më kë të besojnë dhe kë të ndjekin. Mori anë dhe u rreshtua, e kjo është diçka e mirë për krizën pasi heq nga tryeza paqartësitë dhe mjegullën e njërit prej protagonistëve aktualë të të djathtës.

Që nga vjeshta e vitit 2021, kur Berisha nisi Foltoren, Partia Demokratike ka pësuar një çarje e cila ka krijuar një konfuzion të paprecedent brenda opozitës. Në gjashtë muajt e fundit, Gazmend Bardhi është përpjekur të mbledhë kuadratin e shrregullt të deputetëve “të mesit”, për ta çuar butë dhe pa zhurmë në prehërin e Berishës. Ja ka dalë të krijojë një fryrje rreshtash të grupimit parlamentar të Rithemelimit, duke ja bërë të vështirë lojën politike Lulzim Bashës. Por njëherësh ja ka dalë të krijojë një dualizëm sjelljesh e qëndrimesh mes Berishës dhe SHBA, i cili sa më shumë që kalon koha, ngjan edhe më fals e i shtirur.

Gazmend Bardhi ka përsëritur shumë herë në orët e fundit pas kthimit nga SHBA, mes kolegëve të tij, se amerikanët goditën rëndë socialistët brenda delegacionit parlamentar, për atë që sipas tij ishte përdorimi që PS po i bën statusit non grata të Berishës. Këto fjalë që Bardhi solli nga Uashingtoni mund ta kenë përforcuar bindjen e tij se vetëm pranë Berishës ai mund ketë mjetet dhe rrugët për të qëndruar në politikën aktive. Duke nisur nga mandati i deputetit, të cilin Doktori do t’ja jepte me shumë kënaqësi, në këmbim të prezencës së Bardhit në çdo luftë karrigesh e fishekzjarresh në Parlament e media. I duhet Gazmend Bardhi sepse nuk është i vjetër si Tritan Shehu, militant i shpërfaqur si Flamur Noka apo servil i deklaruar si shumë të tjerë aty rrotull.

Megjithatë këta të dytët, përkrahësit e Berishës, janë shumë më të ndershëm në sjelljen e tyre politike sesa Gazmend Bardhi. Kanë vënë para nostalgjinë si guidë në udhën e tyre drejt “revolucionit” në rrugicë, e nuk duan t’ja dinë as për SHBA e as për SPAK. E valëvisin publikisht adhurimin për Doktorin dhe përçmimin për gjithkënd që kërkon t’i kundërshtojë.

Në anën tjetër Gazmend Bardhi shtiret sikur me Berishën nuk e lidh asgjë përveç tymit e pirgut të karrigeve në Kuvend, duke shitur majtas-djathtas lavde boshe për amerikanët dhe drejtësinë e re. Oratoria e tij shkon drejt Rrugës së Elbasanit, por sjelljet e tij shkojnë drejt Rrugicës së Berishës. Ashtu si ai vetë, kur zbriti me celular në dorë poshtë dritares së Berishës, duket tentuar të hiqet sikur kishte qëlluar aty rastësisht e nuk po i dëgjonte piskamat e Berishës kundër Dumanit dhe Sorosit.

Është mirë që më në fund Gaz Bardhi zgjodhi një palë. Sepse më të këqinjtë në këtë betejë ku luhet e sotmja dhe e nesërmja e të gjithë politikës shqiptare (jo vetëm e opozitës), janë ata të tipit “as mish as peshk”. Dhe Gaz Bardhi ka vite që është i tillë. Të paktën po fillon të zgjedhë më në fund, duke i dhënë mundësi që të jenë më të qartë edhe ata që e ftuan në Uashington.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Denis: 07/02/2024 19:00

    Bardhi zdi anglisht, shume rende, na tregon qe ka bo turizem

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?