Ministrja Nikolla anulon këshillin
e profesorëve të Mjekësisë

17 Janar 2014, 18:08| Përditesimi:

  • Share
TIRANË - Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka anuluar funksionimin e këshillit të profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë dhe u ka kërkuar të shpallin zgjedhjet e reja. Kjo pasi sipas ministres Nikolla, procedurat e ndjekura për zgjedhjen e kreut të këtij këshilli, Elsa Kone, nuk kanë qenë të ligjshme.

Gjithçka ka ndodhur në mbledhjen e djeshme të këshillit të profesorëve të këtij fakulteti, i cili ishte thirrrur me rend dite miratimin e disa titujve shkencorë. Ministrja e Arsimit, Nikolli ka shfrytëzuar pikërisht këtë mbledhje, në të cilin marrin pjesë 53 profesorët e mjekësisë, për t'ua thënë personalisht, se ky këshill në formën që është zgjedhur nuk mund të funksionojë dhe se duhet të shpallin zgjedhjet e reja.

Zgjedhja e kreut të këtij këshilli ka ndarë në dy grupe profesorët e mjekësisë, që edhe në këtë rast kanë dy qëndrime të ndryshme. Njëri grup i profesorëve mbështet zgjedhjen e Elsa Kones në krye të këtij këshilli dhe pretendon se prania në mbledhjen e djeshme e ministres Nikolli ka qenë e befasishme dhe e paparalajmëruar, duke shkelur kështu autonominë e këtij këshilli. Ata madje kanë bërë edhe një deklaratë publike, në të cilën e akuzojnë ministren Nikolli se u bë vegël e disa grupeve të caktuara që duan të uzurpojnë këshillin e profesorëve.

Ndërsa grupi tjetër ka qenë kundër mënyrës se si u përzgjodh doktoreshë Kone në krye të këtij Këshilli. Ata thonë se kjo ishte mbledhja e parë që ishte thirrurr, dhe duke qenë se e konsiderojnë të padrejtë procedurën e përzgjedhjes nuik kishin ndërmend të merrnin pjesë, por kur kanë marrë vesh se do të ishte ehde ministrja, kanë vendosur të shkojnë.

"Rreth orës 10:00 u njoftuan se keshilli i profesorëve do të mblidhej në orën 12:00 të ditës së djeshme. Sigurisht ne e kemi kontestuar mënyrën se si është zgjedhur kreu i këshillit dhe nuk kishim ndërmend të shkonim. Por rreth orës 11:00 filloi të qarkullonte një thashethem se do të vinte edhe ministrja e Arsimit në mbledhje, ndaj dhe vendosëm të shkojmë.

Dhe në fakt ashtu ndodhi, ministrja erdhi së bashku me kryetaren e këshillit, Elsa Kone (që aktualisht po vuan nga një sëmundje e rëndë) dhe kërkoi që këshilli të anullohej dhe të hapen zgjedhjet e reja, pasi procesi i korrikut ka pasur parregullsi. Ministrja, i kërkoi fakultetit që nëse ka nevojë, ajo mund të japë të gjithë asistencën e nevojshme.  Nuk pati asnjë kundërshtim dhe me kaq mbledhja u mbyll", - na shpjegojnë profesorët e Fakultetit të Mjekësisë. 

Ndërkohë burime zyrtare nga ministria e Arsimit shpjegojnë se prania e ministres Nikolli nuk ka qenë i papritur në këtë këshill. "Ne kemi një kërkesë të 17 profesorëve të mjekësisë dhe rektoratit të universitetit Mjekësor, që kërkojnë anullimin e kreut të këtij këshilli, pasi nuk është ndjekur procedura e duhur. Ndërkohë që janë zhvilluar disa takime për këtë çështje. Ministrja nuk ka cënuar aspak këshillin e profesorëve, por bazuar në pretendimet dhe atë që parashikon ligji, ka kërkuar që kjo procedurë të kryhet konform ligjit", - na shpjegojnë burime nga Ministria e Arsimit.

Kreu i këshillit të profesorëve ka mandat njëvjeçar dhe duhet të jetë një prej anëtarëve të këtij këshilli. Pasi hapen zgjedhjet e reja, kandidatët shpalosin platformat, dhe fituesi duhet të marrë votat e 3/4 të profesorëve për t'u konfirmuar në krye të tij.

Në fakt, zgjedhja e kreut të ri të këtij këshilli, në korrik të vitit 2013, është shoqëruar me debate të forta mes shefave të QSUT-së, debat i cili është pasqyruar edhe në gazetën "Shqiptarja.com". Kjo pasi një pjesë e profesorëve pretendojnë se nuk ishin numrat e duhura për të zgjedhur kreun e ri, dhe se dekanati ka manipuluar numrat e nevojshme për të konfirmuar legjitimitetin e kreut të këshillit të profesorëve.

Këshilli i profesorëve është një strukturë që në bazë të ligjit të arsimit të lartë, ekziston në çdo fakultetet. Ai merret me anën akademike, kurrikulën, punën shkencore, etj, të fakultetit. Por kreu i këshillit të profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë merr pjesë edhe në një bord të rëndësishëm: në bordin e ministrisë së Shëndetësisë dhe ka të drejtë vote edhe në përzgjedhjen e shefave të shërbimit të QSUT si dhe të miratimit të buxhetit.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?