Ministrja, Bardhyli e Misha në një tryezë, ‘Viti i Ali Podrimjes’, prezantohet pa përfqësues nga Kosova! Ja cilat do jenë aktivitetet në këtë përvjetor të dyfishtë

23 Mars 2022, 17:46| Përditesimi: 23 Mars 2022, 18:05

  • Share

Prej vitit 1957 kur në revistën “Jeta e re” botoi poezinë e tij të parë, e deri në ndarjen nga jeta një dekadë më parë, poeti nga Gjakova i dha jetë poezisë në më shumë se dhjetë vëllime. Në nderim të tij, 2022-shi shpallet “Viti i Ali Podrimjes”.

“Ky është viti i përvjetorit të dyfishtë të Ali Podrimjes, pasi ka 80-vjetorin e lindjes dhe 10-vjetorin e vdekjes. Kjo do ishte mënyra më e mirë për të nderuar një figurë të tillë. Një figurë që është një nga përfaqësuesit më të veçantë, më origjinalë dhe me të rëndësishëm të shekullit të XX-të”, thotë drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha.

Ndonëse aktivitetet për Podrimjen, synojnë të “thyejnë” kornizat formale të kalendarit të përbashkët Shqipëri-Kosovë, përfaqësuesit e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës mungojnë në tryezën e prezantimit.

“Aktivitetet do të nisin që në 23 prill me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit. Do të shënojmë një aktivitet të gjerë të përbashkët me Akademinë e Shkencave dhe Arteve në Kosovë, që ka botuar dhe veprën e plotë të Podrimjes.  Këto aktivitetet do të kulmojnë në një panair të librit shkencor dhe studimor në hapësirat e librit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”, thotë drejtorja e Qendrës Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Ndërkaq, veprën e Podrimjes, siç premtohet do ta shohim në një sërë aktivitetesh letrare dhe në një ekspozitë të librave që botoi, që do të mbahen në bashkëpunim me Bibliotekat Kombëtare dhe Qendrën e Librit.

“Janë autorë të Shqiptarisë dhe si të tillë gjithmonë aktivitete të tilla, ekspozita etj., janë bërë pjesë e një kalendari të përbashkët”, shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Aktivitetet e përmendura janë më tepër të natyrës përkujtimore, por sipas Ministres së Kulturës, ato do t’i shërbejnë edhe më tepër bashkimit kulturor të dy vendeve.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?