Ministritë nuk ‘kënaqen’ me parashikimet e buxhetit për vitin e ardhshëm, duan më shumë fonde! Më pak lekë për Bujqësinë, Turizmin e Infrastrukturën

12 Tetor 2023, 14:38| Përditesimi: 12 Tetor 2023, 15:34

  • Share

Ministria e Financave po harton buxhetin e ri për vitin e ardhshëm, bazuar në tavanet që ka vendosur në Programin Afatmesëm të Buxhetit 2024-2026. Por 8 ministri janë të pakënaqura me shpenzimet e planifikuara në program dhe kërkojnë më shumë fonde për projektet e reja.

Ministria e Infrastrukturës ka kërkesat më të mëdha për rritje të buxhetit, duke kërkuar fonde për infrastrukturën rrugore me argumentin se cenohet mirëmbajtja e tyre, për reformën e ujësjellësve, si edhe për shpronësimet. Për çudi, në 2024-ën, Financat kanë vendosur t’i japin 53.2 miliardë lekë, më pak nga buxheti që kishte këtë vit në vlerën 54.7 miliardë lekë.

As ministria e Arsimit nuk është e kënaqur nga shifra 48.5 miliardë lekë edhe pse është më e madhe se buxheti aktual, 47.1 miliard lekë. Arsimi kërkon më shumë për të mbuluar shpenzimet, për paga personeli, për transport, rimbursim të teksteve shkollore, për trajnim mësuesish, infrastrukturën e akademisë kërkimore shkencore dhe për federatat sportive.

Me ministrinë e Mbrojtjes, Financat janë treguar më dorëlëshuar. Buxheti parashikohet të jetë mbi 5 miliardë lekë më shumë nga ky i vitit 2023. Por ministria e Mbrojtjes ka përsëri kërkesa për mbulimin e shpenzimeve për angazhimet me NATO dhe për pagat. Sipas planifikimit, buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes në vitin 2024 do të jetë 45.7 miliardë lekë, nga 40.2 miliardë lekë që është këtë vit.

Edhe ministria e Drejtësisë pritet të marrë  më shumë, 12.9 miliardë lekë nga 12.3 miliardë lekë që ka këtë vit, dhe sërish ka bërë kërkesë për fonde shtesë për shpenzime personeli.

Me fluksin e paprecedentë të turistëve që shënoi ky vit, ministria e Turizmit ka shprehu pakënaqësi ndaj parashikimit 2.1 miliardë lekë për vitin e ardhshëm, një vlerë që është edhe më e vogël se buxheti i tanishëm,  2.3 miliardë. Për të qenë në nivelin e duhur, turizmi kërkon fonde për pastrimin e bregdetit, për kalendarin turistik si dhe për blerje fidanësh për administrimin e pyjeve.

Më pak buxhet parashikohet për Ministrinë e Brendshme nga 24.1 miliardë lekë këtë vit në 23.8 miliardë lekë vitin që vjen, e po ashtu edhe për Bujqësinë e cila kërkon më shumë për pagat e personelit,  subvencionim e naftës dhe mirëmbajtjen e digave.

Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë këtë vit është 14.2 miliardë lekë ndërsa për vitin që vjen është planifikuar në vlerën 13.9 miliardë lekë.

Ministria e Kulturës do të marrë 4 miliardë nga 3.9 miliardë që ka këtë vit, por ky buxhet vlerësohet i pamjaftueshëm për pagat, shpenzimet e personelit, dhe për vendimet gjyqësore

Ministria e Financave, e Shëndetësisë dhe e Jashtme kanë fonde në rritje në krahasim me vitin aktual, por nuk kanë kërkesa për më shumë buxhet.

ËSHTË                  BËHET
MFE                      65.9 miliardë lekë           72.2 miliardë lekë
MSHMS                78.045 miliardë lekë         78.095 miliardë lekë
MEPJ                    2.9 miliardë lekë

Tashmë janë ekspertët e Ministrisë së Financave që kanë në dore plotësimin ose jo të kërkesave të ministrive, në përfundim të hartimit të projektbuxhetit të vitit 2024.

Në Programin Buxhetor Afatmesëm është bërë shpërndarja e fondeve për institucionet mbi bazë të objektivave që duhen realizuar për vitin e ardhshëm, për vitin 2026 dhe 2026. Tek Programi Buxhetor Afatmesëm përcaktohen tavanet e shpenzimeve dhe investimeve publike për të gjitha institucionet.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?