Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë tha se është informuar që qytetarët të cilët janë pajisur me targa të përkohshme, po kërcënohen nga persona, që sipas këtij institucioni, janë ende të paidentifikuar.
“Ministria e Punëve të Brendshme dënon ashpër këto kërcënime në drejtim të qytetarëve të cilët janë pajisur me tabela të përkohshme sipas vendimit të MPB-së më datë 20 shtator 2021”, thuhet në njoftim.
Në veri të Kosovës kanë raportuar se gjatë natës së mbrëmshme në të paktën një veturë me tabela të përkohshme të Kosovës janë vendosur mbishkrime me përmbajtje kërcënuese.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, këto kërcënime ndikojnë në krijimin e një klime, ku qytetarët ndihen të frikësuar që të jetojnë dhe veprojnë në vendin e tyre.
“Këto kërcënime janë të papranueshme dhe po pengojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave”, tha Ministria, duke shtuar se tashmë këto raste po hetohen nga Policia e Kosovës që do të ndërmarrë masa sipas ligjit./ REL