Ministri i Kulturës Visar Zhiti
shkel mbi Mozaikun e Tiranës

20 Prill 2013, 08:40| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve, e shpallur si e tillë nga ICOMOS dhe UNESCO, është kujtuar më 18 prill në Tiranë me një rrjet të tërë aktivitetesh që zhvillohen nga Drejtoritë Rajonale të Monumenteve dhe Parqeve Arkeologjike në gjithë vendin.

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Visar Zhiti ka zgjedhur ta festojë këtë ditë “në një nga sitet më të spikatura, dhe domethënëse, jo vetëm të qytetit të Tiranës, por mbarë Shqipërisë, në mozaikun e Tiranës, i njohur për vlerat artistike dhe historike që mbart, por deri kohë më parë pothuaj i panjohur edhe për vetë qytetarët e Tiranës”, siç u shpreh edhe ai vetë.

Por aksidentalisht, edhe pse ministri ka zënë në gojë investimet e bëra për gërmime dhe restaurime në këtë sit, që është bërë tashmë pjesë të itinerareve turistike të kryeqytetit,ai nuk ka treguar dot kujdesin e duhur, duke hedhur hapin e gabuar në vendin e gabuar, në mes të veprës së trashëgimisë.

Kjo pakujdesi e pastër vjen ndoshta, jo për faj të vetë ministrit të Kulturës, sepse atij nuk i kërkohet që sa të vërë këmbën në institucion të bëhet edhe arkeolog, por për faj të drejtorit të rekomanduar të Trashëgimisë në këtë ministri, Arbër Kadisë, i cili duke e ndjerë ndoshta veten si zot të shtëpisë, sepse ka qenë ish-drejtori i Drejtorisë Rajonale të Tiranës, e ka drejtuar ministrin të hyjë bash në mes të mozaikut e të jap intervista për gazetarët, ku janë shtuar me tepër shojet e takat e këpucëve sipër teserave të lyera e pastruara me kimikate të shtrenjta.

Pastaj Arbër Kadia ka shkelur pa pikë problemi edhe vetë në krah të ministrit, duke harruar ai vetë i pari mundin e shpenzimet që janë bërë për restaurimin e mozaikut të Tiranës, por edhe ligjin e ruajtjes së trashëgimisë. Në janar të vitit 2010, Arbër Kadia ndërsa punonte me projektin restaurues të Mozaikut të Tiranës, pohonte në media se po bëhej një punë e kushtueshme që niste nga “trajtimi me metoda kimike nga më bashkëkohoret e pjesës së mbetur të mozaikut” deri “tek izolimi perfekt nga agjentët pluhuror atmosferikë”.

Nuk kishte më gjasa pas kësaj të lejohej aty të shkelte ndonjë këmbë njeriu. Përpjekja për shkëlqimin dhe daljes në dritë e ngjyrës origjinale të teserave, përpjekja e restauruesve që t’i gjenin copat e t’i ngjitnin e bashkonin me kujdes në përkitje të figurës origjinale, nuk mund të neglizhohen nga një pakujdesi e tillë drejtuesish në ditën botërore të trashëgimisë.

Tri vjet më parë Mozaiku i Tiranës u restaurua sipas një projekti të ndjekur nga ish- drejtori i Drejtorisë Rajonale të Tiranës, Arbër Kadia, sot Drejtor i Trashëgimisë në Ministrinë e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve.

Zhiti me logo

(Foto: Ministri Zhiti dhe drejtori i Trashëgimisë Kadia, si dhe gazetaret me taka duke shkelur mbi mozaikun e restauruar)

ÇFARË ËSHTË MOZAIKU I TIRANËS


Mozaiku i Tiranës është i vetmi monument arkeologjik brenda territorit të qytetit të Tiranës. Kemi të bëjmë me një qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit që në fillim të shek. III, e cila u zëvendësua me një vilë fshatare (rustica). Salla me mozaik e pajisur dhe me një absidë ishte ambienti kryesor i saj.

Autorët mendojnë edhe që në shek. V-VI vendin e vilës e zuri një bazilikë paleokristiane. Pjesa e gërmuar e monumentit u rrethua dhe u vu në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK). Brenda kompleksit të vilës janë zbuluar edhe tre stela varresh të periudhës romake. Në mënyrë konvencionale, siti arkeologjik është emërtuar dhe njihet me emrin “Mozaiku i Tiranës”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 20.04.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?