Marash Dukaj

Ministri Dukaj në qeverinë e Malit të Zi: Shqiptarët japin dorëheqje nëse iniciohet tërheqja e njohjes së Kosovës

24 Janar, 08:53| Përditesimi: 24 Janar, 09:01

  • Share

Marash Dukaj, ministër i Administratës Publike në Mal të Zi ka folur mbi marrëveshjen të cilën e ka nënshkruar Forumi Shqiptar me qeverinë e re në Podgoricë.

Mediat e Kosovës shkruajnë se Dukaj ka deklaruar se pjesë e marrëveshjes për bashkëqeverisje në Mal të Zi është edhe Kosova.

“Ne kemi bërë një marrëveshje që është shumë e qartë, që e ka nënshkruar vetë (lideri i Frontit Demokratik, Andrija) Mandiq, dhe në atë marrëveshje është shumë e qartë e definuar edhe çështja e Kosovës si çështje e mbyllur, e paprekur. Pastaj integrimi në BE, fuqizimi në NATO, pra rruga euroatlantike e plotfuqishme e Malit të Zi”.

Mes të tjerash, ai theksoi se shqiptarët do të dalin nga qeveria nëse kjo marrëveshje nuk respektohet nga mazhoranca e Millojko Spajiç sidomos nëse shtrohet çështja e tërheqjes së njohjes së Kosovës.

“Ne si subjekt, si Forum Shqiptar, nuk do të jemi pjesë e atyre tryezave, e mos të flasim marrëveshjeve të qeverive që nuk i respektojnë këto pika për të cilat jemi dakorduar. Nuk do të jemi pjesë e qeverisë, do të dalim nga qeveria (nëse shtrohet çështja e tërheqjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës). Për ne, Kosova është çështje madhore, sepse po të mos ishte Kosova, shqiptarë në Mal të Zi do të kishte shumë, shumë më pak dhe shumë, shumë më pak do të ishin edhe të shkolluar dhe të integruar. Kosovës s’mund t’ia harrojmë”, deklaroi Dukaj.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?