Ministeriali i OSBE në Shkup, ministri Hasani i përgjigjet Lavrov: Rusia po kërkon të nxisë telashe në Ballkan

30 Nëntor 2023, 16:56| Përditesimi: 30 Nëntor 2023, 17:02

  • Share

Përplasja Rusi-Shqipëri është përsëritur edhe një herë sot gjatë samitit të OSBE-së në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Pas deklaratës së ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov i cili tha se dimensioni ushtarako-politik i OSBE-së është shkatërruar nga vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së, ka reaguar edhe ministri i Jashtëm shqiptar Igli Hasani.

Ministri Hasani dënoi agresionin rus në Ukrainë, teksa theksoi se Rusia po kërkon të nxisë telashe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke dobësuar kështu edhe OSBE-në.

“Kërcënimi më i madh për sigurinë tonë sot, në të vërtetë për të gjithë arkitekturën tonë të sigurisë, duke përfshirë edhe këtë organizatë, është Rusia dhe lufta e saj e paligjshme e agresionit kundër Ukrainës.

Kjo luftë tragjike ka pasur pasoja dramatike për OSBE-në, në të tre dimensionet. Duke keqpërdorur mekanizmin unik të bashkëpunimit tonë – konsensusin – dhe duke e bllokuar atë për të gjitha vendimet e rëndësishme, Rusia ka synuar të dobësojë dhe paralizojë organizatën tonë. Të njëjtin mesazh deformues dëgjuam pak minuta më parë. Të njëjtat fjalë si në vitet 1956, 1968, 2008, 2014, 2022. Pastaj dërgojnë tanket e tyre”, deklaroi Ministri Hasani

Kryediplomati shqiptar u shpreh se Shqipëria po bën çmos për t'iu kundërvënë këtyre kërcënimeve, por sipas tij nevojitet një përpjekje e bashkërenduar nga të gjithë miqtë dhe partnerët për të neutralizuar këto përpjekje.

“Të gjithë duhet ta pranoni se mënyra më e mirë për ta bërë Ballkanin Perëndimor, dhe rrjedhimisht Evropën, më të sigurtë, është njohja e pavarësisë së Kosovës dhe dhënia e vendit që i takon në këtë tryezë dhe në çdo tryezë tjetër ndërkombëtare”, tha ai.

Deklarata e mëparshme e Lavrov:

“Vendet e NATO-s dhe BE-së shkatërruan dimensionin ushtarako-politik të OSBE-së. Në vitin 1999, NATO kreu një agresion brutal kundër Jugosllavisë, një anëtare e OSBE-së dhe OKB-së. Dhe në vitin 2008, duke shkelur rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe parimin e paprekshmërisë së kufijve në Evropë nga akti final i Helsinkit, Serbisë iu mor Kosova pa asnjë referendum. Është faji juaj që keni sjellë këtë ndasi të OSBE-së, vetë iniciatorët e kësaj ideje janë duke e vrarë OSBE-në. Ka qenë tradicionale që ne të mbanim fjalime pozitive por kjo nuk po ndodh më, sepse OSBE është bërë vegël e BE”- u përgjigj Lavrov.

B.V/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?