Mimoza Arapi, një piktore
shqiptare në rrethinat e Athinës

28 Prill 2013, 06:20| Përditesimi:

  • Share
Piktorja shqiptare Mimoza Arapi dhe piktori grek Nikos Zebekopulos kanë çelur përkatësisht ekspozitat e tyre personale në qendrën kulturore “Ekstane” të Athinës. Ekspozita ka pasur shumë vizitorë, dhe blerës pikturash, ndaj organizatorët vendosën që ekspozitën e çelur në javën e parë të muajit prill ta mbajnë të çelur plot një muaj nga dy javë që ishte parashikuar.

 Piktorja shqiptare e gjendur më mjedisin e artdashësve grek thotë se ka ngelur e kënaqur nga rezultatet e kësaj ekspozite, ku nuk i kanë munguar vlerësimet dhe admiruesit, por edhe blerësit. “Po sapo e shita një pikturë”, rrëfen piktorja Arapi për gazetën. “Madje kolegut tim grek Zebekopulos, i bleu tre piktura djali i Miçotaqis”.

Ekspozita e çelur në qendrën kulturore përbëhej nga temat për gruan, ndërsa krahas tematikës së përbashkët piktori grek shfaqej me tablotë piktorike në 3D (trimimensional). Shtyrjen e dy javëve më tepër të ekspozitës, piktorja shqiptare e quan një sukses të dytë të saj, sepse janë rikthyer shumë nga vizitorët që kanë pasur interes për pikturat.

Piktorja shqiptare Mimoza Arapi rrëfen se ajo tashmë ndihet më e sigurt në karrierën e saj artistike dhe shumë e vlerësuar nga kritikët dhe artdashësit grekë. “Pas katër ekspozitave të hapura grup, këtë vit unë erdha me një ekspozitë personale, që tashmë qëndron e hapur për një muaj rresht në një qendër të rëndësishme kulturore”, thotë piktorja Arapi.

EKSPOZITA I KUSHTOHET FIGURËS SË GRUAS

Mimoza Arapi ka një stil që mbart frymën poetike brenda pikturës. Ngjyrat e saj dallojnë për lojën e guximshme disharmonike të ngjyrave në telajo. Ngjyrat e saj të lënë mbresa dhe ndjesi të çuditshme. Shpesh telajot e saj karakterizohen nga prekje të buta të furçës, gjurmë të menjëhershme dhe të papërsëritshme nga një tablo në tjetrën.

Arrin të zotëroj motivin njerëzor si fabul të tablosë, edhe kur ajo kalon në abstraksione. Ekspozitën e saj në Athinë që qëndron ende e hapur në qendrën kulturore “Ekstane”, Mimoza Arapi ia ka kushtuar gruas. Kjo ekspozitë ka tërhequr vizitorët grekë dhe sigurisht edhe blerësit, ku në rastin e një ekspozite të tillë nuk janë blerës të zakonshëm.

Duke qëndruar e heshtur dhe modeste pas kufirit të emigrimit, luftës për mbijetesë, në rastin e saj, “edhe për mbijetesën e shpirtit artistik”, Arapin e zbulojmë papritur si një pelegrine të pikturës. Nuk kanë qenë të pakta ekspozita e saj të bëra në vende të ndryshme të botës, herë me grupe piktorësh herë grekë dhe herë shqiptarë.

Ndërkohë që ajo banon në Greqi dhe vetë punon në një galeri arti, shprehet se “qendra ku kam çelur ekspozitën është një qendër e rëndësishme kulturore ku luhet teatër, jepen koncerte muzikore dhe ka një fluks të madh vizitorësh”. Mimoza Arapi në kuadrin e kësaj ekspozite rrëfen edhe natyrën e pikturës së kolegut të saj Nikos Zebekopulos “Kemi diçka të përbashkët në këtë ekspozitë, ndaj organizatorët vendosën që të prezantoheshin së bashku.

Stili i Nikos është përqendruar edhe ai te figura njerëzore, kryesisht ajo femërore. Përveç kësaj Nikos ka një individualitet të spikatur me natyrën tridimesionale të pikturës së tij dhe është një nga piktorët më të suksesshëm grekë”, thotë Arapi.

ARAPI, PLANET NË SIRTAR: NJË EKSPOZITË NË ATDHE

Arapi ka nisur të pikturojë që nga bankat shkollës, duke iu drejtuar pikturës qetësisht dhe me sigurinë e një individualiteti të papërsëritshëm. Ajo edhe pse krijon në kushte e vështira të mërgimit, nuk bëri kurrë art komercial, nuk punoi piktura për të fituar lekë, por e ruajti të pacenuar artin nga ky reng i kohës.

Në pikturat e Mimoza Arapi ajo di të sjell aromën e luleve dhe shprushërimin e emocioneve natyrale nëpërmjet ngjyrave. Ajo ka nisur të pikturojë në moshën fëminore. Piktura e saj gjithmonë është e shoqëruar nga figura njerëzore e abstraguar dhe e stilizuar. Pas mbarimit të Akademisë së Arteve piktorja vazhdon të eksperimentojë pa paragjykuar kurrë veten se ku do të arrijë.

Kjo modesti e bardhë në rrugën e saj të artit i ka sjell një vlerësim dinjitoz nga kritika, kolegët dhe artdashësit. Megjithëse ka hapur ekspozita edhe në Shqipëri, Mimoza Arapi karrierën e plotë artistike e zhvilloi në Greqi, ku aktualisht banon. Sukseset e saj të para në Greqi nisën kur ajo me një grup artistësh grekë përzgjidhet nga kuratorët për të ekspozuar në Uashington.

Më vonë ajo ka pasur ekspozita edhe në Londër e vende të tjera të botës. Që nga ajo kohë Mimoza Arapi nuk ka reshtur së pikturuari, duke iu bashkuar në rastin më të parë ekspozitave të brezit të saj. Mes kolegëve ajo e gjen lehtë gjuhën e dialogut dhe komunikimit me artet moderne. Deri më sot është një nga artistet e mirëpritura në galeritë kombëtare të Greqisë.

Por në planet e së ardhmes, pavarësisht sukseseve atje, Mimoza Arapi shprehet se dëshiron të çel një ekspozitë edhe për publikun shqiptar. “Megjithëse nuk jam ndjerë kurrë e huaj mes piktorëve të botës, në ato vende ku kam shkuar shpesh me ekspozitat e mia, e ndjej se brenda pikturave si mister janë fshehur gjurmët e vendit nga vij, Shqipërisë.

Ndaj ëndrra ime në sirtar pas suksesit të kësaj ekspozite është të kthehem me një ekspozitë personale në atdhe”, thotë piktorja Arapi.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.04.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?