Mimi Kodheli

Mimi Kodheli zgjidhet Zëvendëspresidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e para shqiptare

23 Nëntor 2020, 18:09| Përditesimi: 23 Nëntor 2020, 18:26

  • Share

Duke filluar që nga dita e sotme, Shqipëria do të ketë përfaqësuesen e saj si një prej zëvendëspresidentëve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Në Seancën e sotme Plenare, u zgjodh me unanimet të plotë deputetja Mimi Kodheli në postin e Zëvendëspresidentes së Asamblesë Parlamentare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Zonja Mimi Kodheli, e cila është aktualisht Kryetare e Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme dhe Kryetare e Delegacionit parlamentar shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATOs, bëhet kështu e para shqiptare që zgjidhet në një pozicion të tillë të një organizate ndërkombëtare. 

Mimi Kodheli është Doktore e Shkencave Ekono­mike prej vitit 2007 dhe Master në Administrim Biznesi nga Universiteti  Lincoln, Nebraska, SHBA, në bashkëpun­im me Universitetin e Tiranës në vitin 2000. 

Ajo është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, Dega Financë, në vitin 1986.

Znj. Kodheli ka hyrë në politikë në vitin 2002, kur edhe u emërua Zëvëndëskryetare e Bashkisë së Tiranës.  Në vitin 2005, u emërua Prefekte e Qarkut të Tiranës. Prej vitit 2009 është zgjedhur  deputete e Kuvendit të Shqipërisë.

Në karrierën parlamentare ka mbajtur pozicionin e Zëvëndëskryetares së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave përgjatë legjislaturës 2009-2013 dhe aktualisht  është Kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme.  Gjatë viteve 2013-2017 ka shërbyer si Ministre e Mbrojtjes e Shqipërisë. Prej vitit 2007 e në vazhdim është Anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste.

Gjithashtu në Seancën e sotme Plenare, parlamentarët në NATO votuan sot edhe për Presidentin e Asamblesë Parlamentare. Drejtues për dy vitet e ardhshme do të jetë Kongresmeni amerikan Gerry Connolly.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?