Mete takohet me Presidentin e Rajonit të Lombardisë: Të thellojmë bashkëpunimin, prioritet rritja e investimeve italiane në vendin tonë

19 Janar, 15:38| Përditesimi: 19 Janar, 15:39

  • Share

Ministri i Financave, Ervin Mete, priti në një takim Presidentin e Rajonit të Lombardisë në Itali, Attilio Fontana. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Italisë, në veçanti me rajonin e Lombardisë, si edhe mundësinë për rritjen e mëtejshme të investimeve italiane në vendin tonë.

Ministri Mete vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve, si dhe shprehu angazhimin për thellimin e mëtejshëm.

Ministri tha se Shqipëria ofron mundësi investimi në shumë sektorë si energji, infrastrukturë, agrikulturë dhe veçanërisht në turizëm, i cili pati një performancë shumë të mirë gjatë vitit të kaluar, duke u kthyer në një prej fushave më atraktive për investimet.

Gjithashtu, Ministri Mete shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe rolin proaktiv të Italisë në mbështetje të integrimit të Shqipërisë në Bashkimit Europian.

Nga ana e tij, Presidenti i Rajonit të Lombardisë shprehu interesin për të thelluar bashkëpunimin ekonomik me Shqipërinë, duke e konsideruar vendin tonë tërheqës për sipërmarrjet italiane për të zgjeruar aktivitetin e tyre ekonomik.

Referuar të dhënave, volumi total i tregtisë mes Italisë dhe Shqipërisë për vitin 2023 ishte 3.5 miliardë euro. Po për vitin 2023, Italia renditet në vend të katërt sa i përket stokut të investimeve të huaja në vendin tonë, me një trend rritës në vitet e fundit. Aktualisht në Shqipëri operojnë rreth 5767 biznese italiane aktive, me kapital të përbashkët ose tërësisht italian.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?