Sali Berisha

Lorenc Vangjeli: Metamorfoza e Sali Berishës, pengmarrësi i marrë peng

10 Shtator 2023, 10:32| Përditesimi: 10 Shtator 2023, 10:36

  • Share

E pranojnë edhe miqtë e tij gjithmonë e më të paktë, edhe armiqtë e tij gjithmonë e më të shumtë. E dinë ata që mban afër, e ndjejnë ata që i ka larg. Në thelbin e filozofisë politike të Sali Berishës është pengmarrja edhe e miqve, edhe e armiqve të tij. Zbulimi i dobësive njerëzore, mbajtja shënim e mëkateve, identifikimi i të fshehtave vetjake për t’u përdorur si armë, pa bërë dallim nëse kanë qenë dosje të ish-sigurimit të shtetit dje apo korrupsion i sotëm, me një metodologji arkivisti, kjo është ajo çka ka bërë Sali Berisha në vite, ky është guri magjik i një alkimisti politik, i aftë që pakicën ta kthejë në shumicë edhe kur ka gjithë rrethanat kundër dhe të shesë edhe qymyrin e zi me çmimin e arit vezullues. Dhe mbi këtë bazë, marrja peng dhe përdorimi sipas nevojës edhe i miqve, edhe i armiqve të tij, i ka funksionuar si një mekanizëm perfekt. Duke shkuar dhe më tej, duke krijuar aleanca të përkohshme dhe fluide mes personazhesh krejt të ndryshëm, të cilët ai i bashkon dhe ndan sipas rastit, si dëshmitar i dobësive të tyre.

Zbatimi i përkryer i kësaj filozofie shpjegon mbi të gjitha jetëgjatësinë politike të Berishës dhe pushtetin e frikshëm që ai ka ushtruar mbi të gjitha palët, por tani situatat kanë ndryshuar. Dhe as Doktori nuk është më i pari dhe as nuk dihet më se kush është i pari që ka kapur peng pengmarrësin gjenial.

Në daljen e tij të fundit publike, duke tentuar të bëjë sërish një radiografi të qeverisjes, sulmi i tij mbi njerëzit e maxhorancës ishte tejet selektiv. Pa anashkaluar targetin e tij kryesor, Ramën, që megjithatë për çudi u duk sikur e kurseu, për të tjerë nuk u kursye. Kur përmendi ministrin e brendshëm Taulant Balla si abonent kryesor të bisedave të përgjuara, e bëri sepse Balla është njeriu që i ka qëndruar përballë pa kompromis edhe atëherë kur kolegët e tij zgjidhin të fshiheshin nën fustane fallxhoresh. Kur përmendi ministren Elisa Spiropali, e bëri se nuk i fal asaj faktin që i hoqi Shkodrën nga sqetulla dhe që e detyron të braktisë në heshtje e me faj parlamentin sa herë i replikon dhëmb për dhëmb nga distanca që i jep CV-ja pa të metë. E njëjta teknologji edhe kur përmend një politikan karriere, pothuaj i vetmi i shpërblyer për meritë si Arbian Mazniku apo dhe një teknokrate si Albana Koçiu, që i del në radar sepse i ka munguar më herët në të njëjtin radar. Berisha e përmendi Ballën, Spiropalin apo Maznikut sepse e di që me ta nuk ka pasur ndonjëherë kompromis dhe se rrethanat nuk do t’i mundësojnë ndonjëherë kompromis me ta. Heshti për të tjerë sepse ka firmosur tashmë për marrëveshje të fshehta dhe interesa të hapura.

Foli edhe për disa emra të lidhur me botën e krimit, por nuk përmendi “rivalët” e tyre në të njëjtën zonë influence, pikërisht për të njëjtin shkak. Mospërmendja e ka një çmim. Për Berishën nuk ka rëndësi ngjyra e kalit, por që shpina e tij ta kalojë matanë lumit të radhës. Shumë nga njerëzit e mbetur pa emër nga Berisha, disa edhe “klientë” të nesërm të SPAK-ut, diktojnë interesat e tij dhe për më shumë, janë të aftë t’i mbyllin gojën. Mjafton të shihen jo vetëm interesat elektorale, hallet e përbashkëta me disa nga ta, por edhe interesat ekonomike për të kuptuar se Berisha e ka të humbur lirinë e tij për t’i përmendur. Madje dhe më keq se kaq, është peng i tyre.
I aftë deri tani të krijojë aleanca fluide, deri edhe brenda vetë PS-së, profesionist në leximin e interesave të kundërshtarëve dhe i zoti t’i ndërsejë ata kundër njëri-tjetrit, mjeshtër për të mësuar i pari dobësitë e tyre dhe t’i përdorë ato si adrenalinë për të forcuar veten, këto kohë, si kurrë më parë, jo me atë që tha, por për ato që heshti, Berisha demonstroi pafuqinë e tij. Tregoi se nuk është i lirë të flasë për të vërtetat e tij relative.

Sali Berisha është ndoshta lexuesi më i mirë i situatës në PS, i aleancave të ndryshueshme brenda saj, i ekuilibrave dhe rivaliteteve të shpallura dhe të fshehta, mërive, zilive, xhelozive dhe thikave që vetë socialistët mprehin për njëri-tjetrin. Ai ka qenë përherë në mes të tyre, herë në krah të një individi e herë kundër një pale në favor të palës tjetër; herë kulaç e herë kërbaç, i frikshëm kur lëvdon dhe qetësues kur sulmon, Berisha, sado paradoksalisht të duket, është një element kyç për të kuptuar edhe se çfarë ndodh në PS. Në dhjetë vitet e qeverisë së Ramës ka një numër ministrash që paguanin haraç në kuptimin e parë të fjalës që të mos ju përmendej emri nga Doktori, por njëkohësisht edhe e kanë përdorur Doktorin për të sulmuar sivëllezërit socialistë.

Berisha i di si pakkush tjetër në Tiranë se cilët janë ekuilibrat e botës së krimit dhe simbiozës së tij me politikën, por edhe këtu është tmerrësisht selektiv kur i përmend po për të njëjtat arsye.

Në një realitet të ndryshuar, me shumë ujë të rrjedhur nën Lanë, pafuqia e Berishës dhe metamorfoza e tij, po duket gjithmonë e më qartë. Dikur pengmarrës i disa prej njerëzve të Nanos e sot i disa partnerëve të Ramës, nesër më shumë se kurrë do të kuptohet se vetë Berisha është peng i filozofisë së tij dhe viktimë e jetëgjatësisë në politikë. Ndryshe nga sa tenton të vazhdojë të shfaqet, Berisha po demonstrohet peng i atyre që ka filluar të ketë frikë t’u përmendë emrin. Në politikë dhe në botën e krimit. Me dikë e lidhin interesat ekonomike të njerëzve pranë tij, me ndonjë tjetër edhe fati i përbashkët. Metamorfoza e Berishës është e frikshme, njëlloj si një nga ato ironitë e pabesueshme të fatit që të ngre lart për të të rrëzuar shumë poshtë; nga njeriu që trembte gjithë dynjanë, tek politikani që trembet kur sheh që shndërrohet pak a shumë si Gregor Zamza i Franz Kafkës. Nga pengmarrës krenar në peng të vuajtur.

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ethem Lalaj-MallaKASTRIOTI: 10/09/2023 11:24

    OK,L.Vangjeli: 1.Të ndjek gjithmon edhe në KONTRAST.Gjithmon i prerë.Sfundmi po del më prerë për ti thën në Sy të vërtetat e NON GRATËS TË VDEKUR PËRFUNDIMISHT POLITIKISHT. 2.Në faktë politikanët,Analistët..etj nuk duhej të merreshin me konfliktualin e madh.. qëkurse DASH e futi në listën e zezë. 3.Ca më keq që Sb u bë faktor i ZI në PD pasi Luli e përjashtoi nga grupi kuvëndor me URDHËRIN E SHBA. 4.Pas kësaj ndodhi gjëma e përçarjes së PD pa kthim,vetëm nga Sb i cili u hodh në sulmë kundra SHBA e jo Lulit,Ramës,Sorosit. 5.Ata që mbështesin non gratën do përfundojnë si vet Ai..Pasi Sb nuk krijon dot PARTI.. për rrjedhojë nuk bëhet më KM.Ai nuk e kapërcen më RINASIN.. 6.Përgjegjësi kan gjykatat e tredhur nga Sb 92 që zvarrisin problemet e VULËS,Logos.. 7.Luli sido që është..bëri TRIMIN që përjashtoi Sb nga grupi e pa ndodhur që nga 1991..Ai u tërhoq nga PD SHBA dhe u fut në lojë nga SHBA..! Dhe Opozitë do jet PD e Lulit,pavarësisht se i duhet mbi 20 vite të vij në pushtet.PSE: 1.Se Luli nuk po del fort se kush është Sb,Çka bër me Sb apo me kokën e tij.. 2.Luli të paktën të rrëfehet se..Kush e dha urdhërin për të qëlluar në 21 janar 2011 për të vrarë 4 protestuesit..Këtu përfundon HISTORIA E ZEZË E SALIUT APO LULIT. 8-90 % e popullit e di se urdhërin për vrasje e dha Sb..Për këtë ka vidio me zë e figurë..Por rrëfeja e dëshmitarit okular.. kryesor do e vinte SPAK+GJKKO në pozita për të dhën drejtësi pas 33 vitesh të sundimit berishist FATKEQSI KOMBËTARE ME 101 DOSJE KRIMI. 9.DASH po vihet në pozita të vështira me SPAK..Pasi po kërkon arrestimin e balenave dhe sekuestro pasurive.. dhe SPAK po merret me arka peshku e arrestime pa prova..! -Motivacionet paraprake për arresrimin e S.Tahirit e L.Kokës janë skandaloze..Dalja e S.Tahirit..në fakt është ulje koke e atyre që e arrestuan përfshi dhe E.Ramën për të shpëtuar veten nga droga e ligjëruar nga Sb në Lazarat..që ST e shkuli dhe drogaxhijt(profesorët) e Sb të nxjerr nga burgu nga horrat e Sb mbollën lë shumë që duheshin mbi 1.500.000 çolic për ta Monitoruar.Këtu fitoi Sb me nenet e tij 99 % që helmoi dynjanë me shpifje ALLA SALI.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?