Politikë

Meta viziton Universitetin e Palermos: Djep i dijes dhe i traditës së kultivimit të gjuhës dhe kulturës arbëreshe

4 Nëntor 2021, 09:35| Përditesimi: 4 Nëntor 2021, 11:58

  • Share

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një vizitë në Universitetin e Palermos ku u prit nga rektori i tij, Profesor Massimo Midiri si dhe nga pedagogë të tjerë të këtij institucioni të lartë arsimor.

Meta vlerësoi faktin që kishte nderin dhe kënaqësinë e veçantë të vizitonte Universitetin e Palermos, këtë djep të dijes dhe të traditës së ndritur të kultivimit të shumë brezave studiuesish dhe personalitetesh arbëreshë.

‘Ky universitet i lidhur fort edhe me hulumtimin dhe promovimin e identitetit arbëresh, një identitet unik, jo vetëm italo-shqiptar, por edhe një pasuri e çmuar e trashëgimisë europiane dhe botërore.

Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në këtë universitet është një qendër e rëndësishme albanologjike, me të cilën lidhet historia e mendimit shqiptar, e gjuhës dhe e kulturës shqiptare.

Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe ka shërbyer si një pikë referimi e rëndësishme shkencore dhe kulturore, jo vetëm për komunitetet arbëreshe të Italisë së Jugut, por për të gjithë italianët dhe studiues të huaj, ndaj meriton të mbështet më shumë.

E gjitha kjo punë akademike e hulumtuese mbi albanologjinë dhe botën arbëreshe e bën Universitetin e Palermos të jetë për botën shqiptare, vendin tim dhe për mua personalisht, me një rëndësi të veçantë.” – u shpreh Presidenti Meta.

Meta tha se është mirënjohës ndaj të gjitha kolegjeve e seminareve italo-arbëreshe, të cilat i paraprinë Rilindjes Kombëtare në Shqipëri, me idetë iluministe dhe me pasionin për arsimin dhe kulturën europiane, si frymëzim për jetën dhe veprën e shumë patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë.

‘Ne ju jemi mirënjohës për punën tuaj, sikurse edhe shprehim mirënjohjen e thellë ndaj të gjitha kolegjeve e seminareve italo-arbëreshe, të cilat i paraprinë Rilindjes Kombëtare në Shqipëri, me idetë iluministe dhe me pasionin për arsimin dhe kulturën europiane, si frymëzim për jetën dhe veprën e shumë patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë. Arbëreshët na ruajtën emrin si popull i vjetër. Arbër, arbëresh, arbanë. Arbëri e Albani janë fjalë, që rrojnë prej tyre. Ata janë simbol i forcimit të lidhjeve dhe marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy popujve tanë.’ – theksoi Presidenti i Republikës, duke shtuar se Universiteti i Palermos është një vlerë e çmuar për Shqipërinë pasi historiku i këtij institucioni akademik është tejet i lidhur edhe me historinë dhe identitetin shqiptar.

Ora 11:57
Meta viziton kishën e Shën Kollit në Palermo: Qendër e rëndësishme referimi për arbëreshët, që jetojnë në Siçili, dëshmi e kulturës fetare dhe artistike të këtij komuniteti

Presidenti Ilir Meta, mëngjesin e sotëm ka vizituar Kishën e Shën Kollit në sheshin Bellini të Palermos.

“E jashtëzakonshme”, ky ka qenë pikërisht edhe impresioni i presidentit lidhur me qendrën më të rëndësishme të referimit për arbëreshët që jetojnë në Siçili.

Meta ka publikuar një video, ndërsa krah saj ka shkruar se kisha-monument, pjesë e UNESCO-s, është dëshmi e jashtëzakonshme e kulturës fetare dhe artistike të këtij komuniteti.

Ai shkruan se duke u mbështetur në punën studimore akademike të katedrave të gjuhës dhe kulturës shqipe në Palermo dhe Cosenza, ‘Moti i Madh’ arbëresh, ritet, traditat dhe trashëgimia e pasur dhe e jashtëzakonshme historike dhe kulturore arbëreshe meritojnë gjithashtu të bëhen pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

“Mirënjohje famullitarit të Kishës Papas Nino Paratore që më shoqëroi në këtë vizitë, për përkushtimin e tij në ruajtjen dhe transmetimin e riteve fetare dhe vlerave të komunitetit arbëresh!”, shkruan ai në fund të postimit në rrjetin e tij social Facebook.

 

 

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?